E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garruli: Së shpejti leja për portin e peshkimit

20/11/2009  Do të ndërtohet nga ministria

Porti i peshkimit në qytetin e Durrësit ka mbetur peng i bashkisë së këtij qyteti që e ka kundërshtuar këtë projekt prej kohësh. Por ndërtimi i këtij porti do të bëhet tanimë nga Ministria e Mjedisit. Lajmin e ka bërë të ditur në një konferencë për shtyp këshilltari i ministrit të Mjedisit, Aleksandër Garruli. Sipas tij, historia për ndërtimin e këtij porti e ka zanafillën që në vitin 2002, kohë kur bashkia e ka miratuar këtë projekt. “Bashkia e Durrësit është shprehur në mënyrë institucionale pro ndërtimit të portit të peshkimit në kalatën zero dhe ky qëndrim nuk mund të ndryshojë sa herë ndryshon qëndrimi i kryetarit të bashkisë. Pretendimi se porti i peshkimit ndot ambientin është absurd. Ky port do të ndërtohet, duke respektuar të gjithë parametrat mjedisor, sipas teknologjisë më të përparuar bashkëkohore dhe në përputhje me konventat ndërkombëtare. Në qytetet e zhvilluara bregdetare portet e peshkimit janë ndërtuar pranë porteve tregtare, si pjesë e infrastrukturës së qytetit. Porti i peshkimit do të plotësojë një pasuri të munguar të qytetit të Durrësit, si një qytet bregdetar”, – tha Garruli gjatë konferencës për shtyp. Ndërtimi i portit sipas tij do të bëhet në zonën jashtë juridiksionit të bashkisë dhe leja për këtë vepër do të merret shumë shpejt. Kundërshtimi i kreut të Bashkisë së Durrësit për ndërtimin e portit në kalatën zero është konsideruar si qëndrim politik nga vetë peshkatarët. Për këtë vepër do të përdoret një kredi prej 15 milionë dollarë dhe ajo shihet si një element shtesë në shërbimet e restoranteve, hotelerisë dhe tregtimit të prodhimeve të detit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›