E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti nis klientelizmin. Interesat nga “Darfo” tek ARMO Nga “Faktori Plus”Ministri i ri i Ekonomisë, Dritan Prifti, duket se po orienton ristrukturimin e dikasterit duke ringjallur klientët e tij të vjetër dhe të partisë, në dëm të interesave ekonom

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Prifti nis klientelizmin. Interesat nga “Darfo” tek ARMO Nga “Faktori Plus”

Ministri i ri i Ekonomisë, Dritan Prifti, duket se po orienton ristrukturimin e dikasterit duke ringjallur klientët e tij të vjetër dhe të partisë, në dëm të interesave ekonomike të vendit dhe duke cenuar rëndë lirinë ekonomike.

Që në daljen e tij të parë publike Prifti paralajmëroi rishikimin e të gjitha lejeve dhe koncesioneve të dhëna më parë nga ministria.

Dhe duket se Prifti po e bën realitet këtë. Shenjat e para ai i dha ndaj ish-kompanisë “Darfo”. Ministri i Ekonomisë kërkoi rishikimin e koncesionit për të duke e quajtur të dështuar…

Zoti Prifti u takua me përfaqësues të sindikatave të kësaj kompanie në Burrel dhe Dibër, takim për të cilin ministria e tij dha një njoftim, ku thuhej se ata i paraqitën anëtarit të qeverisë problemet shumëvjeçare të koncesionit duke e vënë në dijeni për vështirësitë e mëdha financiare, si dhe për shumë raste korruptive lidhur me këto kontrata nënkoncesionare.

Sërish dje përfaqësuesit e sindikatave të kompanisë në fjalë protestuan para Ministrisë së Ekonomisë duke kërkuar takim me titullarët e saj e duke shpjeguar problemet, por punëtorët janë përcjellë pas bisedës me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë me fjalinë se, “mbyllja e koncesionit është keqkuptim e gjithçka do të zgjidhet…”

Por cila është historia e kësaj kontrate koncesionare?

Ky koncesion u dha në prag të zgjedhjeve elektorale të vitit 2001, nën kujdesin e vetë Ilir Metës, në atë kohë kryeministër, dhe nën ndikimin e fortë të njeriut, që sot këshillon Dritan Priftin, zotit Eduard Belegu.

Pasi kanë shfrytëzuar në mënyrë katastrofale këtë pasuri, por dhe banorët e zonës, politikanët e LSI po “lajnë” duart tashmë nga krimi.

Eduard Belegu, këshilltar kryesor i Priftit, ish-kandidat i LSI dhe anëtar i Komitetit Drejtues të kësaj partie, ka qenë historikisht njeriu kryesor pas “Darfo”-s.

Ky biznesmen, pasi iku nga “Darfo”, ka hapur një sërë kompanish që kanë objekt industrinë minerare.

Por i pyetur për këshilltarin Belegu, me të cilin militon edhe në parti, zoti Prifti thotë se, akuzat për të janë trillim.

Beteja e tanishme e Priftit duket e pandershme dhe e nxitur ndoshta nga plane të reja biznesi të këshilltarit të tij, i cili është në konflikt të pastër interesi. Eduard Belegu, këshilltari kryesor i Priftit, është aksionar, pronar dhe përfaqësues ligjor në kompani, që merren me shfrytëzim minierash, hidrokarburesh, import dhe eksport mineralesh dhe pajisjesh për miniera, gurore, tregtim lubrifikantësh etj.

Praktikisht, z. Belegu është i përfshirë në të gjitha llojet e bizneseve, që kanë të bëjnë me Ministrinë e Ekonomisë dhe ç’është më e rënda, ai është një njohje e vjetër e ministrit Prifti, pasi ka qenë drejtues dhe përfaqësues ligjor i kompanisë famëkeqe “Darfo”, që ka marrë në vitin 2001 të drejtën koncesionare të shfrytëzimit të minierës së kromit në Bulqizë. Duhet thënë se i tërë dokumentacioni i këtij koncesioni është përpiluar nga qeveria e atëhershme e Ilir Metës.

Qeveria e zotit Berisha premtoi ta çlirojë Bulqizën dhe minatorët nga ky makth, madje u fol për gjoba të jashtëzakonshme, që do të merrte “Darfo”. Në fakt, “Darfo” u detyrua ta shesë koncesionin, por këshilltari i tashëm i Dritan Priftit mbeti aty përfaqësues. Edhe Ilir Meta u shfaq i përulur para minatorëve në fushatë, ndërsa hynte në galeri, e bënte për ta premtime, duke pasur në partinë e tij dhe tani edhe në qeveri njeriun që ka përfituar prej vdekjes dhe vuajtjeve të tyre.

Është e qartë se ministri Prifti ka gati një skemë për mënyrën se si do të kontrollojë çdo qindarkë që mund të fitohet në sektorin e minierave dhe koncesioneve në Shqipëri. Ai, me sa duket, i ka pasur gati bashkëpunëtorët. Nuk mund të flitet më për konflikt interesi, por për shumë me tepër. Belegu është anëtar i Komitetit Drejtues në LSI dhe ka qenë kandidat i kësaj partie për zgjedhjet e vitit 2005 dhe 2007 në zonën 86, ku ka marrë një numër të konsiderueshëm votash.

Të njëjtën gjë duket se Prifti po bën dhe me ARMO-n. Borxhet e vjetra të Ilir Metës ndaj Rezart Taçit duket se po dalin në sipërfaqe. Në deklaratën e para dy ditëve Prifti kërkoi që pronarit të ri të ARMO-s, Rezart Taçi, t’i faleshin borxhet e vjetra ndaj “Albpetrol”-it, duke e quajtur të paqartë kontratën e shitjes në këtë pikë...

Kjo tregon se stili i ri i drejtimit nga ana e zotit Prifti mbetet vazhdimi i linjave klienteliste të bizneseve që ai dhe partia e tij kishin nisur, që në vitin 2001 dhe që u ndërprenë për shkak të konfliktit me Fatos Nanon.

Ristrukturimi i Ministrisë së Ekonomisë, sipas këtyre interesave, e bën të rrezikshme të ardhmen e lirisë ekonomike në Shqipëri dhe e fut atë në spiralen e interesave klienteliste.

Pak orë pas nënshkrimit të Metës me kinezët për kromin, Prifti deklaron se do heqë koncesionin e ACR

Vetëm pak orë pasi zëvendëskryeministri, Ilir Meta, nënshkroi një marrëveshje me homologun kinez për furnizim me krom për vitin 2010, ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, deklaroi se ka ndërmend t’i heqë koncesionin e kromit kompanisë “Albanian Chrome”. Drejtuesit e kësaj kompanie thonë se kanë mbetur të çuditur nga ky veprim i ministrit, pasi pak më herët ata kishin nënshkruar një memorandum në prani të krerëve të lartë të shtetit shqiptar dhe kinez.

Megjithatë më pas kanë pasuar deklarata krejt kontradiktore nga ana e ministrit. Kabineti ka deklaruar përpara sindikalistëve se nuk do hiqet koncesioni, ndërsa ministri ka shtuar më pas se është i vendosur për të ndërmarrë këtë veprim.

Gjithçka është bërë në mënyrë qesharake, por synimi duket krejt i qartë. Drejtuesi i METE-s synon më së paku të bëjë shantazh mbi këtë kompani e më së shumti t’i zërë vendin asaj me një sipërmarrës tjetër.

Megjithatë, drejtuesit e ACHR thonë se janë të vendosur të vijojnë punën e tyre.

“Albanian Chrome” (ACR) ka ndjekur me shqetësim deklaratën e fundit të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, z. Dritan Prifti, në lidhje me kontratën koncesionare që kjo shoqëri zbaton në Shqipëri që prej prillit të vitit 2007. “Albanian Chrome” (ACR) bën me dije se nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me zyrën e METE-s apo me drejtori përkatëse nën varësinë e tij në lidhje me shqetësimet eventuale që kanë të bëjnë me realizimin e detyrave të kontratës koncesionare. “Albanian Chrome” (ACR) shpreh angazhimin e saj maksimal për të ruajtur të pandryshuar ritmin e investimeve të nisura, prodhimin dhe disiplinën në punë, duke kërkuar nga punëtorët e saj dhe nga stafi drejtues të garantojnë kushtet e larta të sigurisë në punë, luhatja e të cilave për cilatdo arsye emocionale, mund të bëhen shkak për aksidente.

“Albanian Chrome” (ACR) siguron të gjithë punonjësit e saj dhe publikun e gjerë se mbetet e vendosur për të vazhduar punën e nisur, duke sqaruar njëkohësisht edhe rrethanat e kësaj deklarate të papritur”, - thuhet në deklaratën e ACR.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›