Financat, dështimi para afatit Nga Ervin Qafmolla, “Mapo”Lajmi në mediet e përditshme se të ardhurat në buxhetin e shtetit u paraqitën me një deficit prej 3.8 miliardë lekësh për muajin shtator, u komentua si pasqyrim i radhës mbi efektet e krizës ek
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Financat, dështimi para afatit Nga Ervin Qafmolla, “Mapo”Lajmi në mediet e përditshme se të ardhurat në buxhetin e shtetit u paraqitën me një deficit prej 3.8 miliardë lekësh për muajin shtator, u komentua si pasqyrim i radhës mbi efektet e krizës ekonomike që ka prekur vendin dhe tani paraqitet në pikun e efekteve të saj. Çështja është se muaji shtator nuk përbën përjashtim në prirjen rënëse të të ardhurave në raport me parashikimet. Por ajo çka paraqitet interesante dhe që ende nuk është pasqyruar gjerësisht, lidhet me parashikimin vjetor të trazirave në të ardhurat e shtetit dhe realizmin e tyre para afatit.
Ministria e Financave kishte parashikuar që brenda skenarit më të pesimist të mundshëm - me rritje ekonomike zero për qind - të ardhurat në buxhet do të paraqiteshin rreth 20 miliardë lekë nën planin. Duhet pasur parasysh se rritja në nivelin 0% është parashikim i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërsa vetë qeveria, përfshi edhe Institutin e Statistikës (INSTAT) ka dhënë sakaq variante të ndryshme shumë më optimiste të rritjes ekonomike të vendit, duke mos mundur megjithatë, të kapnin objektivin e një rritjeje dyshifrore.
Ndërkaq, sipas bilanceve të qeverisë edhe parashikimi i FMN mund të rezultojë më optimist se realiteti i shifrave. Për të gjithë vitin 2009, Financat kanë parashikuar një deficit në të ardhurat buxhetore në nivelin e 20 miliardë lekëve më poshtë se plani. Ndërkaq, vetëm për 9-mujorin 2009, të ardhurat e mbledhura deri në muajin shtator, flasin për 21 miliardë lekë nën plan. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se “skenari më i zi i mundshëm” është realizuar, madje tejkaluar me 1 miliard lekë, 3 muaj para afatit. Por sa mund të shkojë deficiti i të ardhurave deri në fund të vitit? Nëse llogaritet trendi i muajve të fundit, shto këtu edhe mosrealizimin e muajit shtator prej 3.8 miliardë lekësh, një variant optimist do të ishte 3 miliardë lekë poshtë planit për çdo muaj: tetor, nëntor, dhjetor. Shifra finale në mbyllje të vitit, me shumë të ngjarë nuk do të vërtitej poshtë nivelit 30 miliardë lekë deficit, çka do të ishte 10 miliard lekë më keq, se skenari më pesimist që Financat kishin menduar.
Në këtë pikë vlen të rishikohet edhe vlerësimi i FMN për rritje ekonomike 0%. Kjo sepse përllogaritjet vjetore të të ardhurave në buxhet, vlerësuar sipas këtij niveli të rritjes ekonomike janë tejkaluar që në shtator, shto këtu edhe trendin negativ që pritet të vijojë deri në fund të vitit. Në këtë kuptim, gjasat që rritja ekonomike të vlerësohet me prirje negative, pra nën nivelin 0%, janë të mëdha dhe të logjikshme. Ndonëse nuk ka ende asnjë provë zyrtare në shifra faktike për një nivel nën 0%, përsëri edhe provat për të kundërtën nuk ekzistojnë. Nga ana tjetër çdo vlerësim racional, bazuar në vetë parashikimet dhe rezultatet shifrore të Ministrisë së Financave, mbështesin logjikën e një nivelit nën 0%.
Qeveria ul shpenzimet
Në publikimin e fundit të Ministrisë së Financave për treguesit fiskalë për 9-mujorin e këtij viti dhe veçanërisht për muajin shtator, krah për krah me dështimet në mbledhjen e të ardhurave duket se shkojnë edhe reduktimet në shpenzimet e parashikuara, duke tentuar kështu një frenim të thellimit të mëtejshëm të deficitit buxhetor. Në tërësi, tabelat për muajin shtator flasin për ulje të shpenzimeve të parashikuara, ku mund të veçohen “shpenzimet operative dhe ato të mirëmbajtjes”, të cilat rezultojnë rreth 5 miliardë lekë më të ulëta se plani. E ndërsa shpenzimet operative janë përgjithësisht të mirëpritura kur reduktohen, nuk mund të flitet njëlloj për shpenzimet kapitale. Ndonëse për muajin shtator në mënyrë specifike nuk mund të thuhet shumë në këtë drejtim, tabloja e përgjithshme dhe vendimet e marra gjatë muajve të fundit flasin për reduktim të investimeve.
Sipas rishikimit të ligjit të buxhetit që u realizua përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, të ardhurat e parashikuara në buxhetin e shtetit për krejt vitin 2009 pësuan një rivlerësim prej 81 miliardë lekësh, ose rreth 800 milionë dollarësh nga plani paraprak. Kjo do të thotë se në arkën e shtetit mungon një shumë e konsiderueshme të ardhurash, pasojë e krizës ekonomike.
Ndërkaq, shumë shpejt pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Këshilli i Ministrave përmes një tjetër vendimi bllokoi rreth 214 milionë euro investime të parashikuara. Vendimi parashikonte që investimet të qëndronin të bllokuara deri në një urdhër të dytë, i cili ende nuk ka mbërritur.
Buxheti në krizë
Paraqitja aktuale e mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit ka shumë gjasa që të “shfuqizojë” edhe tentativën e pak kohëve më parë të Ekzekutivit për të legalizuar disfatën e fondeve publike. Përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, qeveria rriti me rreth 250 milionë dollarë deficitin buxhetor të parashikuar për vitin 2009. Deficiti paraprak në ligjin e buxhetit ishte vlerësuar në rreth 50 miliardë lekë, ndërsa pas kësaj ndërhyrjeje, ai u ndal në nivelin 74.8 miliardë lekë. Rritja e deficitit buxhetor u përball edhe me kritikat e Bankës së Shqipërisë, por nuk u ndoq me ndonjë sqarim relevant publik nga zyrtarët e Ministrisë së Financave. Në këtë ndryshim ishte pasqyruar edhe një rënie e të ardhurave me rreth 81 miliardë lekë.
Por, saga buxhetore ka gjasa të mos përfundojë këtu. Duke qenë se parashikimi pesimist i Financave u tejkalua 3 muaj para afatit, edhe vetë rishikimi zyrtar i deficitit buxhetor ka rrezik të lëvizë për keq. Një thellim i mëtejshëm i deficitit buxhetor, përtej nivelit 74.8 miliardë lekë do të përbënte një të dhënë dramatike për stabilitetin financiar dhe ekonominë e vendit në tërësi, sepse do të fliste - kësaj radhe në rrugë zyrtare - për një përkeqësim të rezultateve të përkeqësuara. Ndonëse mund të tingëllojë si lojë fjalësh, kjo është në fakt çka ndodhur me parashikimin dhe realizimin e të ardhurave, ndaj vetëm në fund të vitit mund të kuptohet vërtet se sa keq kanë shkuar gjërat.
Ndërkaq, paralelisht me shfaqjen e shifrave të zymta në realizmin e të ardhurave, qeveria po ndërmerr nisma të reja me karakter financiar. Një shembull relevant lidhet me pragun e TVSH-së. Sakaq është publikuar në fletoren zyrtare ulja e pragut të xhiros vjetore për futjen e bizneseve në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH). Në këtë kuptim, është miratuar përgjysmimi i vëllimit të xhiros që e bën një biznes subjekt të TVSH nga 8 milionë lekë në vetëm 4 milionë lekë. Ndryshimi i skemës nënkupton futjen e biznesit të vogël në detyrimin shtesë për tatimin mbi vlerën e shtuar. Plani për të rishikuar xhiron vjetore dhe ndryshimin e klasifikimit të bizneseve ka ekzistuar dy vjet më parë, por nuk u zbatua plotësisht, duke bërë disa ndërhyrje ligjore në klasifikimin e subjekteve ambulante. Sipas administratës tatimore, dyshohet se rreth 3500 biznese kanë deklaruar xhiro vjetore nën 8 milionë lekë, kur në fakt rezulton e kundërta. Megjithatë, kjo masë dhe të tjera vijnë në kohë shumë të vështira për arkëtimet në buxhetin e shtetit.