Merkel: Do shqyrtojmë Progres-Raportin e KE për Shqipërinë, më pas vendosim për aplikiminNga Tema, TCHKryeministri, Sali Berisha, tha dje se homologia gjermane, Angela Merkel, i kishte premtuar atij se do e zgjidhte sa më shpejt atë që Berisha e quaj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Merkel: Do shqyrtojmë Progres-Raportin e KE për Shqipërinë, më pas vendosim për aplikiminNga Tema, TCHKryeministri, Sali Berisha, tha dje se homologia gjermane, Angela Merkel, i kishte premtuar atij se do e zgjidhte sa më shpejt atë që Berisha e quajti problem teknik me miratimin e aplikimit dhe kalimin në duart e Komisionit Evropian për të përgatitur opinionin për Shqipërinë. Berisha ishte në Bruksel në një takim të Partive Popullore Evropiane.
“Interesi im më i madh ishte që të takohesha dhe të bisedoja me kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila më premtoi se problemi teknik për konstituimin e parlamentit gjerman do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur që duhet ta konstituojë parlamentin para çdo vendimi që ka të bëjë më Bashkimin Evropian. Kështu që, pasi e urova kancelaren Merkel për fitoren e madhe dhe historike, për mbarë Evropën, në zgjedhjet e shtatorit, i bëra të ditur problemin se Shqipëria është në pritje të këtij momenti dhe se presidenca suedeze pret që të ketë dritën jeshile nga qeveria gjermane, në mënyrë që të diskutojë në Këshill statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, pasi vendet e tjera nuk kanë ndonjë rezervë. Kancelarja Merkel më informoi se dje (të mërkurën), ishte mbledhur parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim do të vazhdojë konstituimi. Ajo më siguroi se do të bëjnë çdo gjë për ta realizuar këtë në kohën më të shkurtër të mundshme. Këto ishin fjalët, me të cilat unë u ndava me kancelaren e Gjermanisë, znj. Angela Merkel, për të cilat duhet ta falënderoj me shumë mirënjohje”, - tha Berisha.
Megjithatë, krejt të kundërtën ka deklaruar kancelarja gjermane në një konferencë për shtyp. Ajo tha se qeveria e saj do të shqyrtojë Progres-Raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe më pas do vendosë, nëse do i drejtohet Bundestagut.
Në këtë mënyrë ajo ka lënë të kuptohet se ky është një problem politik.
“Do t’i rikthehemi kësaj çështjeje në dhjetor, nëse jam e informuar mirë, por qeveria gjermane do të shohë më parë Raportin e Komisionit për të parë gjendjen e Shqipërisë dhe më pas do t’i drejtohet parlamentit”, - ka pohuar Merkel.
Kryeministri Berisha nga ana e tij tha se Progres-Raporti nuk ka lidhje me shqyrtimin e aplikimit dhe çështja nuk është politike.
“Absolutisht, në mënyrë kategorike, nuk pati asnjë lloj lidhjeje me Raport Progresin. Raport-Progresi është raporti më i shkëlqyer që është lëshuar ndonjëherë për Shqipërinë. Në mënyrë të veçantë, Raport-Progresi i bën nder çdo shqiptari, fatkeqësisht me vonesë, për çështjen e zgjedhjeve, sepse këto janë zgjedhjet e para që kanë vlerësimin më të mirë në këtë Raport-Progres. Kur të bëhet Raport-Progresi për të tjera zgjedhje, do të jenë përmbledhur në një rresht, normal si për vende të tjera, por për ne, ngaqë kemi pasur probleme, ky Raport ndalet dhe bën vlerësimin më pozitiv të tyre. Për ata që e lexojnë me vëmendje, Raport-Progresi ka një kapitull tjetër, jashtëzakonisht të rëndësishëm, që vlerëson në mënyrë shumë objektive përpjekjet dhe luftën e qeverisë time në luftën kundër korrupsionit. Unë mendoj se ministri i Jashtëm i Holandës, në mënyrën se si e shpjegoi, e shpjegoi shumë qartë. Duhej Raport-Progresi, në qoftë se bëhej fjalë për një problem politik, duhej detyrimisht raporti i zgjedhjeve, por në qoftë se bëhej fjalë për marrëdhënie që i përkasin qeverisë gjermane me parlamentin gjerman, ky është një problem kushtetues ligjor”, - tha Berisha.