Data-base për çdo artist
Studiuesi i njohur i teatrit, dramaturgjisë, kinematografisë dhe letërsisë, prof. Josif Papagjoni, ka dalë së fundi para lexuesit me një vepër të rëndësishme, nga të paktat e këtij lloji, siç është “Enciklopedia e teatrit dhe e kinematografisë shqiptare”. Një libër gjithëpërfshirës për këto dy arte me rëndësi në zhvillimet kulturore të vendit, në traditat dhe pasuritë e tij shpirtërore. Ai përfshin mbi 800 zëra dhe njësi enciklopedike dhe ka një volum të madh, 560 faqe germë e vogël enciklopedike dhe rreth 1000 foto. Një studim i tillë parakupton studime të tjera pararendëse të autorit, gjurmime dhe hulumtime nëpër vite, pasi vetëm prej një tubimi të madh e të vazhdueshëm të dhënash mundësohet, në rastin tonë, botimi i një libri të kësaj natyre.
Josif Papagjoni duket se e ka parapërgatitur këtë enciklopedi me 16 librat e tij të botuar më parë për teatrin, dramaturgjinë dhe kinemanë. Ai e ka ndjekur për mbi 40 vjet procesin krijues të artistëve shqiptarë, rritjen e tyre, sukseset, sikurse zhvillimet e institucioneve artistike. Në këtë kuptim puna e tij ka qenë sa e lehtë, aq edhe e vështirë. E lehtë, sepse një pjesë të madhe të procesit artistik studiuesi e ka ndjekur vetë nga afër duke vjelë mbresat gjegjëse. E vështirë, sepse është dashur të skedohet në kohë një volum i jashtëzakonshëm të dhënash, vlerësimesh e qasjesh në shtypin e shkruar, në libra, në diskutimet krijuese a në promovime të ndryshme për shfaqje të veçanta, role, krijime, përbërës të arteve të kinematografisë dhe teatrit etj. Interesi i studiuesit të njohur ka qenë, më së pari, paraqitja e personaliteteve më të shquar të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare në gjithë hapësirën tonë kombëtare – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Nuk është e vështirë të dallohet ngulmimi për ravijëzimin e profilit të tyre krijues me tiparet dhe veçanësitë stilistike, me risitë dhe ndihmesat që ata kanë dhënë nëpërmjet veprave të tyre për zhvillimin e këtyre dy arteve tejet publike. Nga ana tjetër, sipas volumit shkrimor dhe peshës së çdo zëri enciklopedik, studiuesi ka bërë kujdes po aq edhe për sa u takon vlerësimeve mbi vepra kryesore që i përfaqësojnë këta personalitete (si drama, skenare, regji teatri dhe filmi, role, skenografi, xhirime etj.) me një gjuhë lakonike, të matur dhe serioze. Një nga shqetësimet kryesore që ka çdo autor, i cili begenis e ndërmerr punë të tilla të vëllimshme e të mundimshme, besoj se është drejtpeshimi, ekuilibri për të dhënë vlerën e merituar aty ku dhe aq sa ajo me të vërtetë është e atilla. Pikërisht, krijimin e një hierarkie vlerash, e cila evidenton natyrshëm edhe kontributet e çdokujt artisti në historinë e kinematografisë dhe teatrit shqiptar, studiuesi Josif Papagjoni mendoj se e ka realizuar mjaft mirë.
Ndaj dhe bëhen të dallueshëm emra të tillë si Kolë Jakova, Gjergj Fishta, Kristo Floqi, Ethem Haxhiademi, Fadil Paçrami, Ruzhdi Pulaha, Fadil Kraja, Ekrem Kryeziu, Beqir Musliu, Rexhep Qosja etj., në dramaturgji; Pirro Mani, Pandi Stillu, Kujtim Spahivogli, Mihal Luarasi, Esat Oktrova, Muharrem Qena etj., në regjisurën e teatrit dhe Dhimitër Anagnosti, Viktor Gjilka, Kristaq Dhamo, Pirro Milkani, Kujtim ]ashku, Isa Qosja, Agim Sopi, Ibrahim Muça, Kristaq Mitro në regjisurën filmike; Naim Frashëri, Kadri Roshi, Mihal Popi, Sandër Prosi, Sulejman Pitarka, Tinka Kurti, Pjetër Gjoka, Ndrekë Luca etj në aktrim; apo skenografë, piktorë dhe operatorë si Agim Zajmi, Shaban Hysa, Ilia Terpini, Saim Kokona, Bujar Kokonozi, Pali Kuke etj. Sikurse ai është shprehur vetë në hyrje të librit, janë aplikuar pesë kategorizime të njësive enciklopedike: artikulli, zëri i madh, zëri i mesëm, zëri i vogël dhe zëri informativ. Hapësira shkrimore ka qenë një kut matës, por, sakaq, në renditjen e vlerave prej autorit kanë shërbyer mjaft edhe cilësimet estetike që ai ka bërë.
Teksti përfshin një lëndë të pasur dhe thuajse shteruese, në përputhje me llojin e botimeve enciklopedike. Duket qartë që autori ka punuar shumë vite në hulumtimin e data-base-s për çdo artist dhe, më tutje, për procese, dukuri, zhvillime të teatrit dhe kinematografisë mbarë kombëtare në rrafsh historik, ashtu sikurse, nga ana tjetër, janë realizuar trajtime të posaçme, me një gjuhë lakonike të natyrës së sintezës mbi gjini, zhanre, lloje, komponente dhe përbërës të mëvetshëm të të dy këtyre arteve.
Në raste të tilla vëllimi shkrimor paraqitet më i gjerë, brenda parametrave të një artikulli enciklopedik, dhe gati-gati merr trajtën e një synopsis për punim monografik, sikurse vihet re në nëndarje të tilla si “Kinematografia”, “Teatri”, “Dramaturgjia”, “Filmi artistik”, “Skenografia”, “Realizmi socialist” etj. Vend të veçantë autori u ka kushtuar edhe historisë së institucioneve kryesore të teatrit dhe kinematografisë, përfshi tipare, vlera si dhe profilin e tyre të krijuar në rrjedhën e viteve, nga fillesat deri në ditët e sotme. Të bën përshtypje njohja dhe kujdesi në evidentimin e gjërave kryesore e përfaqësuese në veprimtarinë artistike të këtyre institucioneve; të bën përshtypje shfrytëzimi i burimeve të pasura bibliografike; më në fund, të bën përshtypje niveli i ngritur i trajtesave për çdo njësi lidhur me këto institucione. Bie fjala, njësi të tilla si “Teatri Kombëtar” (Shqipëri), “Teatri Kombëtar i Kosovës”, teatrot e Shkodrës, Korçës, Durrësit, Vlorës, Shkupit, Gjilanit, Gjakovës, estradat e Shkodrës, Tiranës, Durrësit ose Kinematografia në Kosovë etj., vijnë tek lexuesi jo vetëm në trajtë shteruese brenda hapësirës së mundshme të një artikulli enciklopedik, por bëjnë njëkohësisht edhe ravijëzime për atë çka e dallon këtë apo atë institucion teatror a kinematografik në optikën e artit dhe të krijimtarisë së realizuar në kohë. Më në fund, më duhet të them se kjo enciklopedi e parë dhe e plotë për teatrin dhe kinematografinë shqiptare (mbarëkombëtare) është një kontribut i vyer që e pasuron bibliotekën e mendimit kritik, shkencor dhe estetik mbi këto arte duke i ofruar lexuesit një hapësirë të gjerë njohjeje dhe vlerësimi.
*Autori është kritik i viteve '60-'70 për teatrin. Ka mbi 20 libra të botuar në letërsi, memorialistike, teatër etj. Ka qenë 7 vjet i burgosur, ndërsa tani jeton në Greqi.