E Shtunë, 31 Tetor 2026

Samiti i BE-së në Bruksel, përballë çështjeve të vështira



Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar për disa çështje të vështira, ku përfshihen një marrëveshje për ndryshimet e klimës dhe përpjekjet për të kapërcyer kundërshtimet e Çekisë ndaj një traktati për reformimin e Bashkimit Evropian. Republika Çeke është i vetmi vend që nuk e ka nënshkruar Traktatin e Lisbonës, i cili thjeshton operacionet e Bashkimit dhe krijon një post të ri të Presidentit të BE-së. Evropa është gati për të kaluar nëpër ndryshime strukturore dramatike pas vite diskutimesh dhe pengesash. Pengesa e fundit për marrëveshjen mbi reformën, e njohur si Traktati i Lisbonës, do të eliminohet kur Republika Çeke të ratifikojë dokumentin, i cili, sipas vëzhguesve, pritet të ndodhë brenda pak javësh. Mes reformave të tjera, traktati parashikon një post të ri të fuqishëm të Presidentit të BE-së dhe kjo do të jetë njëra prej temave të samitit në Bruksel. Dy nga konkurrentët më të mundshëm për Presidencën e BE-së janë ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker. Një mundësi tjetër është ish-Presidentja e Irlandës, Mary Robinson. “Zoti Blair do të ishte personifikim i një presidenti më të fuqishëm, ndërsa zoti Juncker do të kishte profilin e një personaliteti që është më tepër i prirë drejt konsensusit, i cili punon në prapaskenë për arritjen e zgjidhjes, por me më pak ndikim diplomatik. Megjithatë, siç ndodh shpesh nëpër samite, me siguri do të dalin edhe emra që do të propozohen në momentin e fundit”. Udhëheqësit e BE-së do të përballen edhe me një çështje tjetër mjaft polemike: si të ndajnë koston e shpenzimeve për vendet në zhvillim që ato t’u përshtaten masave për të luftuar ndryshimet e klimës. “Ekzistojnë ende mosmarrëveshje dhe si zakonisht fjala është për para, pra se çfarë janë gati të pranojnë vendet e ndryshme lidhur me pakësimin e çlirimit të gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe se sa janë ato gati të ndihmojnë vendet në zhvillim në këtë aspekt”. Komisioni Evropian rekomandon që BE-ja të paguajë më tepër se 22 miliardë dollarë për vendet e varfra, ndërsa organizatat e ndihmave kërkojnë të paguhet më tepër se kaq. Vende më pak të pasura, si Polonia, kërkojnë që vende më të pasura, si Gjermania, të paguajnë më shumë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›