Prifti, thirrje PS: Mos sulmoni koncesionet, po dëmtoni investimet
Ministri kërkoi që PS të mos sulmojë bizneset, pasi dëmtohet vendi
Sulmet politike ndaj koncesioneve ditët e fundit po trembin investitorët e huaj si ashtu dhe bankat. Një pjesë e investitorëve të këtyre hidrocentraleve po tremben dhe po largohen, duke i shkaktuar kështu vendit një dëm ekonomik. Me këto argumente ministri i Ekonomisë u ka treguar përfaqësuesve të PS-së efektet negative që po japin akuzat e tyre për kontratat koncesionare. Ministri në një dalje publike, i ka bërë thirrje dje PS-së që mos të sulmojë më biznesin dhe investitorët, sepse e gjithë kjo dëmton ekonominë dhe vendin. Sipas tij, është e pandershme gjetja e lidhjeve të pronarëve, kompanive fituese me drejtues politikë, pasi në koncesione përfshihen të afërm të të djathtëve dhe të të majtëve njëkohësisht. Ai përcolli tek publiku shqetësimin e koncesionarëve. Koncesionarët janë të shqetësuar, sepse bankat janë duke u tërhequr nga mbështetja që u kanë ofruar atyre për koncesionet. Janë duke u tërhequr kompanitë investitore, që do të jepnin fondet për zbatimin e koncesioneve, - tha Prifti. Ai nënvizoi se nga këto sulme ndaj koncesioneve ne rrezikojmë të kemi më pak investime në vend. Nga sulmet që i bëhen biznesit, sigurisht që investitorët tërhiqen, sepse këto lloj sulmesh krijojnë një pasiguri te biznesi, krijojnë një pasiguri të investimi, një pasiguri për të ardhmen. Më pas ai iu drejtua me një thirrje Partisë Socialiste, një thirrje shumë miqësore dhe patriotike, që ne nuk duhet të sulmojmë biznesin pa shkak. Prifti tha se në ministrinë që ai drejton, gjatë pesë apo gjashtë viteve të fundit janë dhënë mbi 120 koncesione. Ai tha se po të merren dhjetë vitet e fundit, në këtë ministri janë dhënë ndoshta deri në 200 koncesione. Ministri nënvizoi faktin se koncesione ka dhënë qeveria e mëparshme, që ka qenë ajo socialiste, ashtu siç ka dhënë qeveria e Partisë Demokratike pas vitit 2005 dhe se asnjë nga koncesionet që janë dhënë para vitit 2005, nuk është sulmuar nga Partia Demokratike kur ka ardhur në pushtet. Janë respektuar koncesionarët, pavarësisht se një pjesë e madhe e tyre kanë pasur lidhje me Partinë Socialiste. Prifti nënvizoi se shtet ligjor do të thotë të respektosh vendimet e qeverisë para teje. Kjo është një garanci që u jepet investitorëve brenda vendit dhe investitorëve të huaj, në lidhje me vazhdimësinë e qeverisjes, në lidhje me mbrojtjen e investimeve. Edhe në koncesionet që janë dhënë pas vitit 2005, në rast se do të bëhet një analizë, do të gjesh njerëz që janë të lidhur, familjarë, miq e shokë të Partisë Socialiste dhe njerëz që janë të lidhur me Partinë Demokratike. Unë nuk mendoj që është normale të sulmosh kunatin e njërit apo kushëririn e tjetrit, sepse Kushtetuta i jep atij të drejtën të përfshihet në aktivitet ekonomik si gjithë shtetasit e tjerë, - tha Prifti. Më tej, ai iu referua një
shembulli, i cili është tipik. Prifti tha se ditët e fundit është sulmuar koncesioni ku ka qenë dhe është i përfshirë kunati i ministres së Integrimit, zonjës Bregu, dhe se Partia Socialiste ka dalë disa herë, me ditë të tëra, duke komentuar koncesionin. Unë po ju them për ta kuptuar se si është vepruar në këtë ministri me koncesionet. Në të njëjtin koncesion ku është kunati i zonjës Bregu aksioner, në një kompani tjetër, sepse janë gjashtë kompani, është edhe dhëndri i një deputeti të Partisë Socialiste të Durrësit. Dhëndri i tij është pronar i një kompanie brenda të njëjtit koncesion. Por çfarë duhet të bëjmë ne, meqë është dhëndri i një deputeti të PS-së? Ne duhet të sulmojmë koncesionin, ne duhet ta prishim koncesionin?, - tha Prifti. Ai sqaroi më tej se pothuajse të gjitha koncesionet janë bashkime të ndryshme kompanish. Pesë kompani, gjashtë kompani, dhjetë kompani në të njëjtin koncesion, që të plotësohen kriteret e koncesionit. Prifti deklaroi se ministria i vlerëson ato nga aspekti teknik, nga aspekti financiar, nga aspekti i realizimit të investimit. Ne nuk bëjmë vlerësime politike. Shqipëria është e vogël, socialistë dhe demokratë, të gjithë së bashku përpiqen të investojnë për të ndërtuar vendin. Duhet të kuptojmë edhe një gjë tjetër, se dhënia e një të drejtë koncesionare nuk është ndonjë favor që i bëhet ndonjë kompanie apo ndonjë koncesioni, sepse ata njerëz marrin përsipër të investojnë. Atyre u jepet një e drejtë dhe ata nga paratë e tyre do të investojnë për të bërë një vepër për vendin e tyre. Nuk duhet ta sulmojmë biznesin në këtë mënyrë, nuk duhet ti sulmojmë koncesionet në këtë mënyrë, sepse dëmtohet vendi ynë. Sot këtë vend e drejton një mazhorancë PD-LSI, nesër mund ta drejtojë kushdo tjetër. Nuk mund të sillemi me biznesin në këtë mënyrë, nuk mund të sillemi me vendin tonë dhe me investimet e vendit tonë në këtë mënyrë, - tha Prifti. Ai iu drejtua me një thirrje zotit Rama, ta lërë listën e familjarëve dhe listën e shtëpisë së njërit apo tjetrit. Unë i kam të dhënat e të gjitha koncesioneve dhe po ju them që pothuajse në çdo koncesion janë gjashtë, shtatë apo dhjetë kompani dhe po të kërkosh ndër kompanitë, do të gjesh edhe kunetër të PS-së, edhe kunetër të PD-së, edhe miq e shokë të një krahu, edhe miq e shokë të një krahu tjetër. Ne jemi vend i vogël. Biznesi, për hir të interesave të vendit dhe për hir të interesave të veta, bashkëpunon dhe ne nuk mund të godasim politikisht investimet, vetëm sepse dikush është kunati i një ministri dhe dhëndri i një deputeti. A duhet ta godas unë koncesionin e Okshtunit, sepse është dhëndri i një deputeti të PS-së atje? Nuk është kjo mënyra se si duhet të sillemi as me biznesin dhe as me koncesionet. Edhe një herë i bëj thirrje opozitës të distancohet nga veprimet goditëse, - tha Prifti.