E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Primaret në PD, Berisha: Akt me rëndësi për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka votuar sot në primaret e PD-së, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për pluralizmin politik dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.

Gjatë një prononcimi për mediet pas votimit, Berisha e cilësoi këtë proces si një akt të rëndësishëm për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri.

Ai u bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të PD-së të besojnë se, pavarësisht sfidave, liria do të dalë më e fortë pas këtyre zgjedhjeve, duke u shprehur se PD ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirisë për shqiptarët.

Berisha, gjithashtu theksoi se kjo është një ditë që do të forcojë më tej angazhimin e partisë për një Shqipëri më të lirë dhe më demokratike.

“Një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokrateve dhe demokratëve që kanë votuar dhe do të votojnë sot për të shprehur vullnetin e tyre për kandidatin që ata dëshirojnë t’i përfaqësojë në parlamentin e Shqipërisë”, tha Berisha.

“Kjo është një ditë e rëndësishme për PD, është një ditë e rëndësishme për pluralizmin politik në Shqipëri dhe për lirinë”, u shpreh ai.

“PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e anëtareve dhe anëtarëve të saj, e qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ktheni pak kokën, mbyllni pak sytë dhe shihni se çfarë ndodh në partinë tjetër, se në çfarë kthetrash, çfarë honesh vidhisen në këtë periudhë. Ndaj dhe, ky është një akt shprese për shqiptarët që liria nuk do të shuhet kurrë në këtë vend, por do të dalë shumë më e fortë nga këto zgjedhje”, theksoi Berisha.

Partia Demokratike zhvillon ditën e sotme procesin e votimit për primaret, për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të PD-së, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 11 maj.

Në garë janë 289 kandidatë teksa procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 në të gjitha qendrat e votimit dhe do të përfundojë në orën 18:00.

Mënyra e votimit është një anëtar, një votë, ndërsa kandidatët do të jenë në nivel qarku, ku do të votohet për secilin qark më vete.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›