E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vota e Diasporës, Balla-shqiptarëve jashtë vendit: Regjistrohuni, kanë mbetur edhe 3 ditë


TIRANË, 1 mars/ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla u bëri një thirrje nga Janina të gjithë shqiptarëve të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit, pasi mbeten vetëm 3 ditë deri në mbylljen e aplikimeve.

“Thirrja ime shkon për të gjithë ata bashkatdhetarë të cilët nuk janë regjistruar ende. Kanë mbetur edhe 3 ditë në dispozicionin tuaj, përfshirë edhe të martën gjithashtu, për t’u regjistruar deri në orën 24:00 të ditës së martë”, tha ai.

Balla këshilloi të gjithë ata që u është refuzuar aplikimi, kryesisht për një gabim shumë të vogël, lehtësisht të shmangshëm që ka të bëjë me vendosjen e faqes së duhur të dokumentit të adresës.

“Shumë prej bashkatdhetarëve vendosin vetëm faqen e parë ku është adresa, por ju lutem vendosni dhe faqen e fundit ku është vula e institucionit që ka lëshuar faturën, apo në raste të tjera kur vendos faqen e parë të dokumentit, ndërkohë që adresa ndodhet në faqen tjetër mbrapa”, tha ai.

Balla u kujtoi shqiptarëve jashtë rëndësinë e këtij procesi, ku për herë të parë do të shprehin vullnetin e tyre.

“Ky është një mandat që do ta bëjë Shqipërinë anëtare të BE-së dhe bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Greqi, Itali, SHBA, Kanada apo Britaninë e Madhe e dinë që këtë aspiratë historike të shqiptarëve e bën të mundur vetëm Partia Socialiste dhe Edi Rama”, tha ai. /m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›