Princ Vidi zbulohet arkivi i panjohur në Shqipëri
Libri “Princi i shqiptarëve” dhe ekspozita “Trashëgimia e një princi” sjellin 270 fotografi, skica, dokumente, kartolina e karikatura, midis të cilave rreth 80 botohen dhe ekspozohen për herë të parë
Mbretërimi jetëshkurtër i Princ Vidit ishte përpjekja e parë serioze për t’ia ringjitur Shqipërinë Europës moderne. Përmes imazheve, të botuara në librin “Princi i shqiptarëve”, koleksionisti Artan Lame përpiqet të dokumentojë këtë përpjekje të princit jetëshkurtër të shqiptarëve, duke ia lënë lexuesit të drejtën dhe detyrën të pajtohet ose jo me përfundimin e mësipërm. Lame sjell imazhe të panjohura të Princit, që i ka siguruar pikërisht nga arkivi i tij personal, por dhe foto që ndodhen në pronësi të koleksionistëve shqiptarë. Ai ka gërmuar gjithashtu në Arkivin e Shtetit për të sjellë një panoramë më të qartë të asaj periudhe. Janë 270 fotografi, skica, dokumente, kartolina e karikatura, midis të cilave rreth 80 që botohen për herë të parë. “Libri nuk përqendrohet thjesht te figura e Princ Vidit, por jep në mënyrë të zgjeruar gjithë situatën kaotike të Shqipërisë së sapokrijuar, intrigat e brendshme dhe të jashtme, rrymat e ndryshme që vepronin, përplasjen e qytetërimeve, protagonistët e kohës, pamje intriguese nga Shqipëria dhe vetë qyteti i Durrësit që u bë kryeqytet i Shqipërisë, përpjekjet e Princit dhe të patriotëve shqiptarë për të shpëtuar vendin nga kolapsi etj.
Nuk funksionoi, për njëmijë arsye, por mbi të gjitha për shkak të humnerës kolosale të krijuar ndër qindra vjet midis qytetërimit europian ku po i fusnin shqiptarët dhe atij otoman prej nga po dilnin. Mënyra më e thjeshtë për ta kuptuar këtë gjë me sa më pak fjalë, është imazhi. Pikërisht përmes imazheve, ky libër përpiqet të dokumentojë këtë përpjekje”- thotë autori i librit, Artan Lame. Libri në fakt është konceptuar si album, ku çdo foto ka shpjegimin përkatës. Për albumin autori ka shfrytëzuar materiale nga koleksioni i tij personal, Arkivi Qendror Shtetëror, Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit, Arkivi i familjes Wied, Neuwied, koleksionin e Misionit Ushtarak Holandez (publikuar nga Robert Elsie), koleksioni Fuli Kalivopulli dhe koleksioni Nikolla Xharos.
Libri ka një parathënie nga Nikolaus Roth, kryetar i Bashkisë të Neuwied, që është qytet në Gjermani, i cili ka qenë kryeqyteti i Principatës mesjetare të qeverisur nga familja e Princ Vidit që nga shekulli XII. Gjithashtu, ka edhe një parathënie nga Petraq Gramo, i cili ka mundësuar kontaktet me pasardhësit e princit të shqiptarëve. Përmes tij u bë e mundur të silleshin në Shqipëri një pjesë e fotografive dhe disa dokumente të tjera të Arkivit të Familjes Vid. Ai ka bërë të mundur dhe botimin e librit mbi Princin e shqiptarëve. Libri është në shqip dhe në anglisht. Libri “Princi i shqiptarëve” do të promovohet sot në Muzeun Historik Kombëtar. Promovimi do të vijojë me ekspozitën “Trashëgimia e një princi”.