Biblioteka në Epokën dixhitale
Biblioteka Kombëtare që nga dje është anëtare me të drejta të plota e rrjetit të bibliotekave dixhitale botërore. Karta dixhitale që i jep statusin e anëtares së rrjetit ndërkombëtar iu dorëzua dje drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, nga zv.ambasadorja e SHBA-së, Debora Jonse. Kjo e fundit vlerësoi bashkëpunimin mes ambasadës së SHBA-ve dhe Bibliotekës Kombëtare si dhe arritjet në aspektin e dixhitalizimit të materialeve të rëndësishme shkrimore. Tanimë të gjithë të interesuarit do të mund të kenë një qasje në trashëgiminë kulturore të dixhitalizuar në kultura dhe gjuhë të ndryshme të botës. Të gjithë të interesuarit mund të marrin shërbime falas, dhe informacione për libra të rrallë, dorëshkrime, harta, partitura etj. Biblioteka kombëtare në bashkëpunim me ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizuan një konferencë shkencore ndërkombëtare me titull “Bibliotekat në epokën dixhitale”. Në këtë konferencë referuan edhe bibliotekarë të Bibliotekës së Kongresit Amerikan. Studiuesi Plasari i dhuroi zv.ambasadores Jones, në mënyrë simbolike, prodhimin dixhital të revistës “Albania”, si njësia e parë shqiptare që integrohet në bibliotekën botërore.
Statuti i Shkodrës në versionin dixhital
Në të njëjtën ditë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, studiuesja italiane Lucia Nadin i dhuroi muzeut historik kombëtar një kopje origjinale të dixhitalizuar të “Statutit të Shkodrës”. Statuti është një nga dokumentet më të vjetër me natyrë ligjore që u jep mundësinë studiuesve dhe historianëve që të krijojnë një ide më të qartë të funksionimit të rregullit dhe ligjit në Shqipërinë e viti 1400. Statutet e Shkodrës përmbajnë 268 nene origjinale edhe 11 nene shtesë. Ata u rigjetën pas shumë shekujsh në bibliotekën e muzeut të Venecias në Itali, ku ndodhet edhe kopja origjinale. “Me ekzistencën e kësaj vepre jam njohur që në vitin 1995 në arkivat e Venecias. Libri përbëhet nga 279 kapituj që përcaktojnë me ligj jetën qytetare të Shkodrës, në tregti, bujqësi, artizanat, ndërtim, në marrëdhëniet e pronësisë, si dhe në shumë aspekte të së drejtës civile dhe penale”, tha Nadin. Sipas studiuesve, statuti i përket vitit 1346, kur Shkodra ishte nën regjimin e Stefan Dushanit. Me këtë “dhuratë” studiuesja Nadin i shton pavijonit të Mesjetës një dokument i rëndësishëm siç është Statuti i Shkodrës. Drejtori i Muzeut, Luan Malltezi, tha se ky është projekti i parë për bashkëpunimin në të ardhmen me Muzeun Historik Kombëtar në drejtim të pasurimit të fondeve në këtë pavijon.