Villi Hermann: Një film i xhiruar fshehurazi për anën e fshehtë të Kinës
Regjisori zviceran rrëfen Kinën komuniste si ne nuk e njohim dhe jo Kinën superfuqi të së ardhmes. Filmi i ndaluar u shfaq në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në “Marubi”
Njerëz që ecin zbathur ose flenë mbi kartonë. Njerëz që punojnë me orë pafund nëpër miniera, njerëz që jetojnë në shtëpi të vogla si kuti shkrepëseje, njerëz që flenë nëpër kantiere ndërtimi, pa dyshek e pa jastëkë... Kjo është Kina që ne nuk e njohim... Kina që shihet si superfuqia e së ardhmes, përtej klisheve televizive, përtej ngjyrave e ndriçimit të kryeqendrave të biznesnit, ku milionat qarkullojnë çdo ditë. Ka edhe një anë tjetër, ku qarkullojmë po prapë miliona, por kësaj here janë miliona të varfër e të papunë, po aq që udhëtojnë ditë të tëra nga fshati në qytet për të punuar pa kushte, për të jetuar një jetë pa kushte, në mënyrë që të sigurojnë mbijetesën. Ky është një film i xhiruar pa lejen e autoriteteve kineze e pa dijeninë e tyre, një film që sjell Kinën e vërtetë. Cilat janë fuqitë punëtore të një superfuqie botërore? Cila është jeta e milionave të kësaj superfuqie, që quhet edhe përbindëshi i përgjumur... Filmi “Nga Diku për Askund” i regjisorit zviceran Villi Hermann u shfaq në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, që po zhvillohet në “Marubi”. Në një intervistë për MAPO-n regjisori i filmit rrëfen prapaskenat e xhirimeve fshehurazi të filmit të tij që është etiketuar “i ndaluar” nga qeveria kineze, për të vërtetat që ai sjell.
“Nga Diku për Askund”. Përse ky titull?
Sepse shumë prej kinezëve që unë pyesja se nga po vinin, më përgjigjeshin duke më thënë vendlindjen e tyre. Atëherë kur i pyesja se ku po shkonin s’e dinin... Ata janë të gjithë emigrues të brendshëm të Kinës, që lëvizin nga fshatrat drejt qyteteve në kërkim të punës. Janë punëtorë që nga fshatrat nisen drejt minierave, drejt fabrikave dhe qyteteve në ndërtim. Familjen e vizitojnë shumë rrallë, mbase njëherë në vit.
Ata punojnë në qytete të mëdha, por flenë në kantiere ndërtimi...
Po kushtet e tyre jetësore janë skandaloze. Nuk kanë kujdes shëndetësor, nuk kanë kushte fjetjeje dhe asgjë tjetër. Në një moment gati na zunë duke filmuar në këto kantiere, por nxituam.
Pse ky subjekt e pse këtë film?
Mbaj mend që këtë migrim të brendshëm e kam parë shumë kohë më parë në Zvicër. Madje kam realizuar një dokumentar edhe për të. Doja të shihja sesi funksiononte në Kinë kjo gjë. Për ta realizuar më erdhi në ndihmë fotografi Andreas Seibert, që kishte shkuar më shpesh dhe e njihte jetën e tyre.
Disa prej personazheve mesi pranojnë të flasin?
Po, nuk duan të dalin, kanë një lloj frike. Megjithatë, ata flasin për jetën dhe problemet e tyre. Janë të rinj që punojnë për të ndihmuar familjet e tyre. Fotografi Andreas Seibert dhe unë kemi “ndjekur” për disa vite jetët e disa punëtorëve, në mënyrë që t’i dokumentonim. Ata na lejuan pastaj të fotografonim e të xhironim përpjekjet e tyre për një jetë më të mirë e për një të ardhme më të bardhë.
Jemi mësuar të shohim një tjetër Kinë në filma, Kinën e Pekinit, të dritave, luksit e shkëlqimit në mes të qyteteve të mëdha. Kjo që shohim në filmin tuaj është krejt tjetër...
Po, jemi mësuar të shohim kinezë me Armani, me parfume të shtrenjta, të veshur mirë. Po nuk janë këta kinezët e filmit tim. Unë i kam lënë pas dore qendrat e mëdha, kam shkuar në kantiere e në miniera, kam udhëtuar në tren së bashku me mijëra punëtorë, kam shkuar edhe në fshatra ku njerëzit punojnë tokat dhe ushqehen me pridhimet e tyre. Kjo është Kina që s’e shohim çdo ditë
A keni marrë leje për xhirimin e këtij filmi? Janë në dijeni autoritetet kineze?
Jo, nuk kam marrë leje. Unë bashkë me fotografin Andreas Seibert kemi hyrë në Kinë si turistë. Xhirimet janë bërë me kamera të vogla, pra kamera amatore. Nuk doja të vija në dijeni autoritetet për xhirimin, sepse ata do më pyesnin përse e bën, çfarë do të realizosh, do më kishin dhënë përkthyes e të tjerë njerëz që do të më pengonin të bëja atë që unë doja. Nuk besoj se do kisha hyrë në miniera as në trena, ashtu si edhe në kantiere.
Keni shkuar në provinca të ndryshme të Kinës?
Kemi udhëtuar nga Jugu drejt Veriut. Kemi vizituar emigrantë të ndryshëm në vendet e tyre të punës dhe kemi shkuar edhe në ato banesëzat e vogla e të përkohshme ku ata jetojnë, ndërkohë që punojnë disa vite për të mbledhur pak para e për t’u kthyer në fshatrat e tyre. Ka disa pleq në këto fshatra, të cilët nuk kanë qenë kurrë në qytetet e mëdha, ndërsa punëtorët kthehen në fshatra vetëm nga një herë në vit. Rreth 150 milionë njerëz të Kinës kanë ikur nga provincat e varfra drejt qyteteve të mëdha. Historitë e migrantëve lokalë tregohen duke ndërthurur fotografitë me pamjet e zërin. Është një ndjesi e veçantë kur sheh shkallën e këtij emigrimi modern, më e madhja në historinë e njerëzimit.
Kina komuniste që s’e shohim përditë
Regjisori zviceran Villi Hermann, së bashku me fotografin zviceran Seibert Andreas, me seli në Tokio, i kanë shoqëruar punëtorët emigrantë (Mingong) gjatë një periudhe prej disa vitesh, me qëllim dokumentimi të jetës dhe punës së tyre. “Nga diku për në Askund” është xhiruar në krahinat Sichuan, Hebei, Hunan, Guangdong, Liaoning, Chongqing, Shanxi, Jangsu, Anhui, Jiangxi dhe Mongolinë e Brendshme. Qendra me përqendrim të lartë të popullsisë, me përmasa të stërmëdha, janë duke mbirë deri në Kinë me shpejtësi marramendëse. Me to vjen një kërkesë në rritje për punëtorë emigrantë në sektorin e ndërtimit, fabrikat dhe minierat. Rreth 150 milionë njerëz janë vendosur tashmë nga krahinat e pazhvilluara rurale për të fituar jetesën e tyre.