Princi Harry vizitë të papritur në Kiev: Do të bëjmë gjithçka për procesin e rimëkëmbjes

Princi Harry, Duka i Sussex, ka mbërritur papritur në Kiev pas një ftese nga qeveria ukrainase. Gjatë vizitës, ai u shpreh se dëshiron të japë kontributin e tij për të ndihmuar ushtarakët ukrainas të plagosur në luftën kundër Rusisë.
“Ne nuk mund ta ndalojmë luftën, por ajo që mund të bëjmë është të ndihmojmë procesin e rimëkëmbjes. Duhet të vazhdojmë të humanizojmë njerëzit e përfshirë dhe atë që po kalojnë,” tha Princi Harry.
Udhëtimi i tij në Ukrainë u zhvillua pak ditë pasi u takua në Londër me Mbretin Charles, për herë të parë ballë për ballë që nga shkurti i vitit 2024.
Familja Mbretërore britanike ka shprehur në mënyrë të përsëritur mbështetjen e saj për Kievin që nga fillimi i luftës më shumë se tre vite më parë.
Më herët, Mbreti Charles e kishte quajtur agresionin rus ndaj Ukrainës si “të papërshkrueshëm” dhe priti presidentin Volodymyr Zelensky në Sandringham në mars. Ndërsa Princi i Uellsit vizitoi refugjatë ukrainas në Estoni, duke vlerësuar rezistencën e tyre si “të mahnitshme”.
/rtsh.al/