E Diel, 1 Nëntor 2026

“Princi i Asturias”; Kadare mbi tapetin blu, si i lirë



Në akademinë morale politike të Francës, bashkë me shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare, bën pjesë edhe Mbreti i Spanjës, Carlos, babai i Princit Filipe. Ismail Kadare për këtë çmim shprehu mirënjohjen dhe respektin ndaj përkthyesit të veprave të tij në spanjisht, Ramon Sanchez Lizarralde, një njohës shumë i mirë i Shqipërisë dhe gjuhës shqipe

Në një ceremoni madhështore, shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, është ngjitur në tapetin blu të Teatrit Campoamor të Oviedos, duke kurorëzuar çmimin e madh letrar “Princi i Asturias 2009”. Në cilësinë e Presidentit të Nderit të Fondacionit që mban emrin Asturia, Felipe, Princi i Asturias, në letrën dërguar Kadaresë shkruan se: "Juria vlerësoi bukurinë dhe angazhimin e thellë të veprës suaj letrare, që ju bën ju një klasik të nivelit universal të epokës tonë, si dhe idealin e lirisë që ju mbroni përballë totalitarizmave". Princi i Asturias, Don Felipe de Borbon mbylli këtë ceremoni me një fjalim, që tradicionalisht konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme që ai realizon gjatë vitit. Duke e cilësuar si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë botërore, organizatorët e çmimit thanë që Kadare "përfaqëson majën e letërsisë shqipe dhe, pa harruar rrënjët e tij, ka kapërcyer kufijtë për t'u ngritur si një zë universal kundër totalitarizmit". Juria, e përbërë nga Andres Amoros, Luis Maria Anson, J. J. Armas Marcelo, Blanca Berasategui, Pedro Casals etj., e kryesuar nga Victor Garcia de la Concha, ka deklaruar se çmimi Princi i Asturias për Letërsinë 2009, i jepet Kadaresë “Për bukurinë dhe angazhimin e thellë të krijimtarisë së tij letrare. Ismail Kadare tregon me një gjuhë të përditshme, por plot lirizëm, tragjedinë e tokës së tij, fushë e vazhdueshme betejash. Duke u dhënë jetë miteve të vjetra me fjalë të reja, shpreh të gjithë dhimbjen dhe ngarkesën dramatike të ndërgjegjes. Angazhimi i tij i ka rrënjët në traditën e madhe letrare të botës helene, të cilën ai e projekton në skenën bashkëkohore si denoncim të çfarëdolloj forme totalitarizmi, në mbrojtje të arsyes”.

Ndërkohë Televizioni Spanjoll dhe Radioja Kombëtare e Spanjës kanë ofruar direkt dhe pa pagesë sinjalin institucional të ceremonisë solemne të dorëzimit të çmimeve “Princi i Asturias”. Ismail Kadare për këtë çmim shprehu mirënjohjen dhe respektin ndaj përkthyesit të veprave të tij në spanjisht, Ramon Sanchez Lizarralde, një njohës shumë i mirë i Shqipërisë dhe gjuhës shqipe. "Është një nga përkthyesit më të mirë. Vitin e kaluar u nderua me një çmim të parë kombëtar për romanin tim “Koncert në fund të dimrit””, - ka thënë Kadare për DW, duke shtuar se e konsideron me fat faktin që në spanjisht ka një përkthyes të tillë. Fitues i çmimit "Man Booker International Prize" në vitin 2005, çmimi më prestigjioz në botën anglishtfolëse, Kadare, 73 vjeç, kandidat i çmimit “Nobel në letërsi”, i nderuar më 24 qershor të këtij viti me çmimin e madh spanjoll, ndodhet në Ovideo së bashku me familjen e tij, ndërsa ka qenë i pranishëm në një seri aktivitetesh të organizuar në vigjilje të këtij çmimi. Gjithsej 31 kandidatura nga 25 vende të botës konkurruan për këtë çmim që fondacioni "Prince of Asturias" ua akordon “atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë”. Dhënia e çmimit shkrimtarit shqiptar, i përkthyer në të paktën 40 gjuhë të botës, u shoqërua me jehonë sidomos nga shtypin spanjoll. Gazeta e njohur "El Mundo" njoftonte atë ditë se kandidati shqiptar për çmimin "Nobel" e fitoi garën mes shkrimtarëve të përmasave të tilla si Milan Kundera, i konsideruar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës që jetojmë, italianit Antonio Cabuçhi, holandezit Cees Nooteboom, autorë këta të njohur të brezit të Kadaresë. Gazeta "El Mundo", e cilësonte Kadarenë si një shkrimtar, i cili filloi të fitojë famën e tij me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në vitin 1963, roman, që sipas gazetës, "Kadare arriti njohje brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë dhe që sot materializohet me një nga çmimet më të rëndësishme në qarqet letrare të botës".

Mbreti i Spanjës, Carlos, është anëtar i Akademisë ku bëni pjesë edhe shkrimtari ynë, ndërkohë që për DW, Kadare shprehet se: “Babai i Princit Felipe që jep këtë çmim, Juan Carlos, për koicidencë është në akademinë morale politike të Francës, akademi kjo nga më prestigjiozet në botë. Ajo ka 12 anëtarë nga e gjithë bota. Në këtë akademi është anëtar edhe Papa Benedikti XVI, i cili u bë anëtar kur ishte kardinal”.

Por sa i rëndësishëm është ky për letërsinë shqiptare në përgjithësi? Sipas Kadaresë:

“Çmimet i shtojnë vlerat letërsisë sonë shqiptare. Këto janë jo vetëm për mua direkt, por edhe për letërsinë tonë në përgjithësi. Janë 15 shkrimtarë shqiptarë që janë përkthyer në botë. Dhe nuk mund t'i thuash letërsisë shqipe, letërsi e ulët, siç pretendojnë disa me teorinë e tyre të fundit. Letërsia shqiptare, krahasuar me vendet e Ballkanit, është një nga letërsitë më të njohura në Evropë. Fakti që letërsia shqipe është tashmë e vlerësuar me dy çmimet me të njohura në botë, e dëshmon këtë më së miri”.

“Princi i Asturias”, së bashku me çmimin “Nobel”, është mirënjohja më prestigjioze për meritat e atyre burrave e grave që kanë kontribuar në progresin e njerëzimit.

Siç shprehej juria e çmimit “Princi i Asturias për Letërsinë”, tema qendrore e veprës së Kadaresë, e plazmuar në të gjitha librat e tij, është totalitarizmi, mekanizmat e tij të funksionimit dhe komplicitetet që e bëjnë të mundur. Ky obsesion letrar kulminon në “Pallatin e ëndrrave” (1988), publikuar në 1981 në Shqipëri, kur ishte ende në fuqi diktatura komuniste. Me gjithë shembjen e komunizmit, Kadare vazhdon të hetojë shpirtin e shoqërive totalitare, siç bën në “Tri këngë zie për Kosovën” (1999) dhe “Përballë pasqyrës së një gruaje” (2002). Botimet e tij të fundit janë “Jeta, loja dhe vdekja” e Lul Mazreku (2005) dhe “Vajza e Agamemnonit”, “Pasardhësi” (2007). Çmimet “Princi i Asturias” u krijuan në vitin 1981, për punën shkencore, teknike, kulturore, sociale dhe humane të realizuar nga persona, grupe pune apo institucione në arenën ndërkombëtare. Secili prej çmimeve “Princi i Asturias”, përfshin një çmim prej 50 mijë eurosh, skulpturën e krijuar dhe dhuruar për këtë qëllim nga Joan Miro, një diplomë dhe një emblemë akredituese.

Në këtë edicion konkurronin 31 kandidatura nga Shqipëria, Argjentina, Belgjika, Kanadaja, Kuba, Kili, Shtetet e Bashkuara, Franca, Holanda, Hungaria, Irani, Irlanda, Italia, Japonia, Maqedonia, Meksika, Nigeria, Peruja, Polonia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar, Republika Çeke, Rumania, Uruguai dhe Spanja.

Vitin e kaluar, fituesja e çmimit “Princi i Asturias për Letërsinë” ishte kanadezja, Margaret Atwod, të cilën juria e nderoi për veprën e saj të shkëlqyer, sidomos në mbrojtjen e dinjitetit të grave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›