E Shtunë, 31 Tetor 2026

HIV/AIDS; 28 vjet pas rastit të parë



Më tepër se 33 milionë vetë ishin infektuar në vitin 2007 me virusin vdekjeprurës HIV. Me gjithë përparimet në terapitë e sëmundjes, ajo deri sot mbetet e pashërueshme.

Para 28 vjetësh, mjeku Michael Gottlieb, nga Los Anxhelos, shkroi për herë të parë në revistën shkencore "Morbidity and Mortality Report" për një sëmundje të re të çuditshme - për një rast të pazakontë të dobësimit të imunitetit. Pas analizave dhe studimeve të para u mendua se kjo sëmundje shfaqej vetëm tek meshkujt homoseksualë. Një vit më vonë, në vitin 1982, u konstatuan rastet e para të femrave të infektuara me këtë sëmundje. Simptomat e kësaj sëmundjeje njihen sot me emrin SIDA apo AIDS "Acquired Immune Deficiency Syndrome".

Në vitet në vazhdim virologu francez Luc Montagnier dhe mikrobiologu amerikan Robert Gallo izoluan pavarësisht nga njëri-tjetri virusin HIV (Human Immunodeficiency Virus), shkaktarin e AIDS-it. Virusi HIV shkatërron në trupin e njeriut një sërë qelizash të rëndësishme, të cilat janë përgjegjëse për imunitetin.

Për zbulimin e tij Luc Montagnier u nderua në vitin 2008 me çmimin “Nobel” për mjekësinë. Robert Gallo regjistroi në vitin 1985 patentën amerikane për testin e parë për antikorpera ndaj virusit HIV. Një zbulim i rëndësishëm, sepse numri i të sëmurëve me Sidë në botë shtohet. Në vitin 1985 u zhvillua në Atlanta të Georgia-s, konferenca e parë botërore e AIDS-it.

Pas dy vjetësh u lejua të hidhej në përdorim medikamenti i parë kundër HIV, azidothymid (AZT). Gjithsesi, ky vetëm se mund ta ngadalësojë rrjedhën e sëmundjes. AZT-ja përdoret në kombinim me medikamente të tjera edhe sot në terapinë ndaj AIDS-it.

1988, OBSH-ja (WHO) e shpalli 1 dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare të SIDA/AIDS-it. Tre vjet më vonë fjongoja e kuqe shndërrohet në simbol të luftës kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse.

Megjithëse në luftën kundër HIV-it zhvillohen vazhdimisht medikamente të reja, të cilat kanë bërë që përqindja e të infektuarve që arrijnë të mbijetojnë të rritet, ky virus shfaqet vazhdimisht në tipa të rinj. Virusi HIV konsiderohet si virusi me më tepër varietete që njeh deri tani shkenca.

SIDA po përhapet me ritme të shpejta, në vitin 2007 me të janë infektuar pesë vetë për minutë. Mjaft të prekura janë vendet në zhvillim, sidomos në Afrikë, ku regjistrohen më tepër se tre të katërtat e rasteve të vdekjes prej Sidës.

Mjaft shqetësuese është gjendja edhe në Evropën Lindore. Nga viti 2001 në vitin 2007 numri i të infektuarve me virusin HIV dhe AIDS në këto vende është rritur me 150%. Numri më i madh i infektimeve regjistrohet në Federatën Ruse dhe Ukrainë. Në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut numri i infektimeve të reja është relativisht i ulët. Në vendet e BE-së dhe të EFT-së në vitin 2007 u regjistruan vetëm 27.000 raste të reja infektimi me HIV. Estonia, Portugalia dhe Letonia shënojnë ndër këto vende numrin më të lartë të infektimeve, kurse Republika Çeke dhe Rumania përqindjet më të ulëta. Me gjithë përpjekjet pandemia e AIDS-it vazhdojnë të përparojë.

Origjina

Ka një variete teorish që ekzistojnë në përcjelljen e HIV-it te njerëzit, por asnjëra prej hipotezave nuk është pranuar unanimisht, duke qenë edhe në kontradiktë me njëra-tjetrën.

Megjithatë, koncepti i pranuar më gjerë është ai i quajtur teoria e “gjuetarit”, një teori sipas së cilës transferta e virusit është realizuar si pasojë e ndonjë kafshimi apo ndonjë prerjeje të lëkurës gjatë therjes, duke shkaktuar infektimin e këtij të fundit.

Kërkimet anonçuan në maj të 2006-s se HIV-i më shumë duket se e ka origjinën nga shimpanzetë e egra të pyjeve të Kamerunit dhe Kongos. Pas shtatë vjet studimesh dhe 1,300 kampione gjenetike të shimpanzeve drejtuan dr. Beatrice Kinshasa të Universitetit të Alabamës për të identifikuar se shimpanzetë në afërsi të këtyre zonave kishin agjentë shumë të ngjashëm me agjentet e SIDA-s.

“Komploti” i poliomelitit

Gazetari Tom Curtis diskutoi një mundësi tjetër të mundshme për origjinën e HIV/SIDA-s në një artikull dikur shumë të bujshëm. Ai hipotezoi se SIDA është shkaktuar në 1950 në mënyrë të paqëllimshme në Kongo nga kërkimet e Hilary Koprowski për një vaksinë të poliomelitit.

Po disa vjet më pas, në 1999, një tjetër gazetar, Edwar Hooper, i nxitur nga artikulli i Curtis-it vendosi t’i hynte më thellë kësaj hipoteze.

Po në atë vit ai botoi një libër me titull “Lumi”, në të cilin ai shpjegoi një eksperiment të bërë me një imitim të ndodhisë së mësipërme, duke arritur në konkluzionin se injektimi i ashtuquajtur antipoliomelit në trupin human kthehej në HIV.

E megjithatë, kjo teori bie në kontradiktë me të tjera teori të prejardhjes së HIV-1, të cilat hipotezojnë me 95% siguri se përhapja e kësaj sëmundjeje vjen duke filluar nga vitet 1910 deri në 1950.

Rastet e para

Rasti më i vjetër i dokumentuar për një rast të ngjashëm me “sindromën e panjohur” është diktuar më 1959, kur një britanik 25-vjeçar, i cili pati udhëtuar në marinë nga 1955 deri në 1957 (por jo në Afrikë). Ai kishte raportuar se vuante nga disa simptoma virusale të pashpjegueshme nga mjekët për rreth dy vjet. Gjendja e tij u përkeqësua shumë më rëndë në Krishtlindjet e 1958-s, kur ai filloi të vuante nga shkurtime të frymëmarrjes, lodhje ekstreme, rënie groteske të peshës, djersitje të shumta gjatë natës dhe temperaturë të lartë.

Doktorët menduan se ai vuante nga tuberkulozi; edhe pse nuk gjetën asnjë infeksion bakterial, atë e kuruan sikur të ishte me tuberkuloz.

Marinari vazhdoi të dobësohej ekstremisht derisa vdiq në një kohë shumë të shkurtër, në gusht të 1959-s. Autopsia e bërë evidentoi dy lloje të panjohura infeksionesh shumë të rralla për kohën dhe të pranishme në pacientët me SIDA. Doktorët pas autopsisë donin të zgjidhnin enigmën e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse. Robert Plat dhe më pas drejtori i Kolegjit Mbretëror të Fizikanëve shkruan me hamendësimet në atë kohë se marinari dukej sikur paralajmëroi epokën e një virusi të ri të rrezikshëm. E megjithatë, vetëm pas 31 vjetëve që pasuan, sëmundja e SIDA-s do të bëhej e njohur si vrasësja më e re masive e shekullit. Rasti i marinarit anglez u bë i njohur në një gazetë mjekësore të Anglisë vetëm më 7 korrik të 1990-s dhe u aprovua si sëmundja e SIDA-s vetëm më 20 janar të 1996-s, ku pjesë nga kampionet e marra u rianalizuan në laborator për të përfunduar kalvarin e hamendësimeve se nga ç’sëmundje enigmë pati vdekur pacienti. Një tjetër rast i herët i kësaj sëmundjeje është diktuar po në të njëjtin vit, pra në 1959 te një burrë 48-vjeçar nga Haiti, i cili 30 vjet më parë pati emigruar në SHBA. Tek ai u zhvilluan po të njëjtat simptoma si me marinarin anglez dhe vdiq po në të njëjtin vit me të njëjtën hipotezë mjekësore të asaj kohe, pneumoni. Disa vjet më vonë, dr. Gordon R. Hennigar bëri autopsinë e 48-vjeçarit. Ai replikoi me fjalët: “Ishte një lloj sëmundjeje shumë e pazakontë për kohën dhe e panjohur dhe për këtë vë bast çdo gjë”.

Ndërsa në 1969 një djalë 15-vjeçar afro-amerikan vdiq po me të njëjtat simptoma po në spitalin e doktor Robert R. SIDA është dyshuar se gjeneroi pas vitit 1984 dhe në 1987 kërkimet në Universitetin Mjekësor të Tulanës konfirmuan gjetjen e HIV-1.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›