E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi: Dogana të barazojë çmimet e referencës me të tregjeve ndërkombëtare



Konfindustria, mbështetur në të dhënat e vazhdueshme të industrive vendore, shpreh shqetësimin e saj për mënyrën e vendosjes dhe të zbatimit të sistemit të referencave doganore. Shqetësimi ka lidhje të njëkohshme me mënyrën e vendosjes dhe çmimet e referencës për lëndët e para të importit, që përdoren për prodhim si dhe për referencat për prodhimet e gatshme të importit. Bazuar në studimin, që Konfindustria ka ndërmarrë përreth 3 muaj, është vënë re se në vendosjen e referencave doganore të prodhimeve të ndryshme vihen re shmangie nga çmimet ndërkombëtare të tregut, por çka është më shqetësuese është se ndërkohë, që kemi rritje të konsiderueshme në lidhje me referencat doganore të lëndëve të para të importit për mjaft prodhime të mbaruara të të njëjtit tip, çmimet e referencës kanë mbetur pa ndryshuar në nivele të ulëta krahasimisht çmimeve ndërkombëtare. Një ngushtim i tillë i ndjeshëm në ndryshimin në vlerë të lëndëve të para me prodhimin e gatshëm ka vënë në vështirësi serioze industritë dhe prodhimin vendor shqiptar, duke ulur në shkallë të papranueshme konkurrencën ndaj prodhimeve të huaja me gjithë pasojat që vijnë nga një dukuri e tillë. Janë prekur sidomos industria mekanike, industria e përpunimit të mishit, industria e prodhimit të duraluminit, industria e prodhimit të pijeve joalkoolike, industria e prodhimit të birrës etj. Gjendja bëhet edhe më shqetësuese, nëse do të mbajmë parasysh pasojat e krizës globale, që ka përfshirë edhe ekonominë shqiptare me shfaqjen më të qartë, goditjen para së gjithash të prodhimeve vendore. Konfindustria ka përgatitur dhe do të dërgojë shpejt pranë Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshëm të Doganave propozimet e saj të veçuara për çdo industri për të barazuar çmimet e referencës doganore me çmimet e tregjeve ndërkombëtare, për të shmangur dukurinë e mësipërme tepër të rëndë për prodhimin vendor. Gjithashtu, Konfindustria i kërkon ekzekutivit shqiptar të vlerësojë me seriozitet për të përmirësuar rrënjësisht mënyrën e vendosjes së çmimeve të referencës, që sjell në vazhdimësi probleme sidomos për industritë vendore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›