E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prindër vullnetarë për të monitoruar nxënësit

24/09/2009  Projekti, do të mbikëqyret hyrja dhe dalja e tyre nga shkolla. Mbështetje nga policia e Durrësit

DURRES- Vullnetarizmi si fenomen është mjaft i njohur në vendet e BE-së dhe Amerikë, por në vendin tonë pak i njohur dhe aplikuar. Shpesh në diskutimet rreth këtij fenomeni njerëzve iu shkon mendja tek puna vullnetare e kryer në vitet e sistemit komunist, por në kohën kur po mbyllet dekada e parë e shekullit të XXI vullnetarizmi po tentohet të vihet në shërbim të komunitetit edhe në vendin tonë.

Nisma

Në sajë të një nisme të komisariatit të policisë së Durrësit me nxënës të dy shkollave të arsimit 9-vjeçar është hartuar një projekt për të menaxhuar çdo ditë hyrjen e nxënësve në shkollë në mëngjes dhe daljen e tyre pas mësimit. Në këtë projekt janë përfshirë shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” dhe shkolla jopublike 9-vjeçare “Viçens Prendushi” në qytetin e Durrësit. Këto dy shkolla janë zgjedhur për faktin se ato gjenden buzë rrugëve që kanë trafik relativisht të lartë në kohën kur nxënësit shkojnë në shkollë. Komisariati i policisë së Durrësit në bashkëpunim me DAR dhe drejtoritë e dy shkollave kanë diskutuar gjerësisht për të bërë të mundur që çdo ditë në mëngjes nga ora 07.30-08.00 dhe në drekë nga ora 13.00-13.30 rruga ku kalojnë nxënësit të monitorohet nga një grup prindërish vullnetarë, të cilët do të luajnë rolin e efektivave të Policisë Rrugore. Shefi i komisariatit të policisë së Durrësit komisar Gjelosh Prendi është shprehur në lidhje me këtë projekt se ka diskutuar me drejtoreshën e DAR në Durrës Ermira Bllani dhe dy drejtueset e shkollave 9-vjeçare dhe kjo nismë është pritur mjaft mirë. Aktualisht projekti mbetet që të miratohet në bordet e dy shkollave respektove, por ndërkohë një pjesë e prindërve që kanë fëmijët e tyre në këto dy shkolla janë shprehur të gatshëm që për periudha të caktuara të luajnë rolin e vullnetarit në kohën që nxënësit e këtyre shkollave kalojnë rrugët me trafik të rënduar. Ideja është që 3-4 prindër të pajisen me jelekë të uniformës së policëve rrugore dhe tabela për të garantuar hyrjen pa asnjë problem të nxënësve në mëngjes dhe daljen e tyre nga shkolla në drekë. Pranë shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” gjendet rruga “Mujo Ulqinaku”, e cila është mjaft e ngarkuar në çdo moment të ditës. Edhe rruga paralel me shëtitoren “Taulantia”, aty ku gjendet shkolla 9-vjeçare jopublike “Viçens Prendushi”, është mjaft e ngarkuar, pasi pak më tutje saj gjendet universiteti “Aleksandër Moisiu” dhe rruga më pas përfundon pas afro 2 km në Currila. Numri një i komisariatit të Durrësit, Gjelosh Prendi, është shprehur se prindërit do ta kryejnë këtë punë vullnetarisht, por ata do të jenë nën mbikëqyrjen e efektivave të Policisë Rrugore. Qarkullimi i mjeteve do të ndërpritet në kohën që kalojnë nxënësit tek vendi i përcaktuar me vijëzime, por pa shkaktuar probleme ose rëndim të trafikut. Në këtë kuadër është menduar që në ditë të ndryshme grupe të vogla nxënësish nga klasat e VII, VIII dhe klasave të IX të vendosen në kryqëzime të ndryshme të veshur me uniformat e Policisë Rrugore dhe të sensibilizojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk e përdorin rripin e sigurimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›