E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau në ’97 adoleshentin, arrestohet në Itali

24/09/2009  Për 42-vjeçarin gjykata e Tiranës ka vendosur masën “arrest në burg”

Krimi ka ndodhur dy javë pas sherrit banal mes viktimës dhe autorit

TIRANE- Agjentët e Interpol Romës në bashkëpunim me homologët e tyre shqiptarë, kanë mundur të lokalizojnë dhe të arrestojnë shtetasin në kërkim Gëzim Ndreu, i cili akuzohet nga drejtësia shqiptare për veprën penale të “vrasjes me paramendim”. Ndalimi i 42-vjeçarit mësohet të jetë kryer në një nga lagjet e Firences së Italisë, ku ai punonte si emigrant prej gati 12 vjetësh. Ngjarja për të cilën Ndreu akuzohet bën fjalë në vitin e trazirave 1997, ku pas një sherri banal ai mendohet të ketë qëlluar me armë zjarri 15-vjeçarin Besian B. Kjo dosje ka qëndruar shumë vjet e pazbardhur në sirtarët e Policisë së Shtetit, por pas disa veprimeve të kryera është arritur të gjendet prova konkrete që implikonin të arrestuarin Gëzim Ndreu në vrasjen se 15-vjeçarit të sipërcituar. Të ndodhur në këto kushte, agjentët e policisë ia kanë deleguar çështjen prokurorëve të Tiranës, të cilët pasi kanë studiuar me imtësi materialin, kanë vendosur që në 15 shtator të këtij viti t’i kërkojnë gjykatës masën e sigurisë “arrest në burg” për të dyshuarin Gëzim Ndreu. Sipas organit të akuzës, ky i fundit ka ekzekutuar 15-vjeçarin pas një sherri banal që ai pati me viktimën dhe dy shokët e tij. Ekzekutimi i Besian B. nuk ka ndodhur ditët e sherrit, por dy javë pas tij. Duke qenë se në atë kohë vendi ishte përfshirë në kaos, policia nuk mundi të hetojë dhe të arrestojë autorin e këtij krimi. Së bashku me një numër të madh çështjes, kjo është një nga dosjet e vjetra që policia ka arritur të zbardhë. Aktualisht për këtë ngjarje kanë filluar procedurat, në mënyrë që 42-vjeçari Gëzim Ndreu të ekstradohet në Shqipëri, vend në të cilin ai do të hetohet dhe gjykohet për veprën penale të “vrasjes me paramendim”.

E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›