E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prindërit e “Dëshmorit të demokracisë” jetojnë në mjerim

Familja e njërit prej dëshmorëve të parë të demokracisë, Josif Budos, jetojnë në varferi ekstreme brenda një shtëpie të vjetër që rrezikon të shembet nga casti në cast. Familja Budo ka marrë premtime dhe nga vetë kryeministri Sali Berisha por gjendja nuk ka ndryshuar. 

KAVAJE- Vështirësitë dhe gjendja mjerane në të cilën jetojnë prindërit e Josif Budos, dëshmorit të parë të demokracisë janë kështu prej 15 vitesh, dhe vec premtimeve të shumta asnjë ndihmë reale nuk është dhënë për ta. Sikur të mos mjaftojë varfëria qe ka pllakosur prindërit e tij, pleq tashmë në moshën 70- vjecare, prej 2 vitesh shtëpia e vjetër ku jetojnë Kristaq dhe Vasilika Budo po shkon drejt shembjes.
Tre muaj më parë tavani i njërës prej dhomave të godinës një katëshe u shemb thuajse tërësisht duke plagosur rëndë të zonjën e shtëpisë.

Shumë herë kjo shtëpi ka pritur dhe përcjellë drejtues të lartë të shtetit dhe pushtetit vendor, ndër ta dhe ish- presidenti i asaj kohe aktualisht kryeministri i vendit Sali Berisha, i cili personalisht ka premtuar sistemimin përfundimtar të shtëpisë. Qëndrimi i gjatë jashtë, në kushte tejet të vështira atmosferike ka bërë që nëna e dëshmorit, Vasilika, të semuret rëndë dhe aktualisht ndodhet e shtruar në spitalin e Durrësit në rrezik për jetën.
Josif Budo është vrarë në një përleshje me forcat speciale të repartit 326 në 10 korrik 1990, në moshën 21 vjecare. Vetë ish- presidenti Berisha e ka dekoruar atë pas vdekjes me titullin, “Dëshmor i Parë i Demokracisë”.
Ndërkohë, familja e tij e konsideruar si bazë e parë e lëvizjës demokratike në Kavajë është vizituar sistematikisht nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar dhe të huaj. Edhe ish Presidenti i Kosovës Rrugova ka qenë vizitor në shtëpinë e dëshmorit Josif Budo.

(e.n/ News24/ Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›