Shamku: 2009-ta do të jetë një cunami për arsimin
TIRANE- Partia Socialiste ka kritikuar Ministrinë e Arsimit se ende nuk ka filluar shpërndarjen për programet mësimore në shtëpitë botuese. Sipas sekretares së komisionit për edukimin në PS, Ledi Shamku, viti 2009 do të jetë viti i një cunami të vërtetë për sa i përket cështjes së arsimit. Ata që do të dalin më të humbur nga kjo neglizhencë e qeverisë , sipas Shamkut do të jenë 35.000 nxënësit që janë duke përmbyllur ciklin e parë 9 –vjecar. PS deklaron se Ministria e Arsimit, nuk e ka filluar shpërndarjen e programeve , për shkak se ende nuk i ka miratuar ato, madje qeveria akuzohet se ka humbur kontrollin e procesit mësimor.
“Vitin e kaluar Alterteksti qe një dështim, megjithëse MASH-i ua shpërndau programet shtëpive botuese që në muajin shtator, duke u kërkuar t’i dorëzonin tekstet në fund të shkurtit. Po këtë vit? Përgjigja është e qartë. Nuk do të ketë tekste shkollore për një kohë të pacaktuar ose do të ketë tekste mizerabël të hartuara kuturu brenda muajit”- ka thënë Shamku në një deklaratë për gazetarët nga selia rozë. Sipas saj, ky është një tjetër skandal i qeverisë i cili tashmë nuk mund të fshihet më, dhe ajo duhet të interesohet për masakrën që po i bëhet të ardhmes së kombit.
“Qeveria e Sali Berishës do të mbajë përgjegjësi për situatën konkrete dhe për gjendjen skandaloze ku ra arsimi ynë nga viti në vit. Përgjegjësi të cilën shumë shpejt do t’ja ngarkojnë vetë shqiptarët me votën e tyre”- është shprehur sekretarja e PS-së për edukimin.
(e.n/ Balkanweb )