E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit e Emmy-t: Biznesmeni kosovar të paguajë dëmin për vrasjen

SHKRUAN: Leonard Bakillari 08-06-2011 11:02

Tiranë- Babai, nëna, dy vëllezërit dhe motra e këngëtares Emmy, kërkojnë dëmshpërblim në gjykatë për vdekjen e saj. Padia është bërë nga familjarët e këngëtares së vdekur në shkurt, në seancën e parë të procesit gjyqësor ndaj kosovarit Aziz Kelmendi, i akuzuar për vrasje nga pakujdesia të këngëtares. Në padinë civile, që është dorëzuar në procesin penal ndaj Kelmendit, familjarët e këngëtares, pasi atakojnë prokurorinë në hetimin e kryer për këtë çështje, kërkojnë nga gjykata që padia të shqyrtohet paralelisht me procesin penal ndaj biznesmenit kosovar. Sipas padisë së plotë, të firmosur nga prindërit, Kristo dhe Florida Idërsha, si dhe nga dy vëllezërit dhe motra e Elsinës, argumentohet e drejtë e familjarëve të viktimës për të qenë pjesë e këtij procesi, nëpërmjet një padie civile me objekt dëmshpërblimin. Në kërkesë nuk përcaktohet masa e dëmshpërblimit, që do të kërkohet në këtë proces gjyqësor, e cila sipas familjarëve, do të thuhet në parashtrimet hyrëse që do të bëhen, sapo procesi gjyqësor të deklarohet i hapur. Familjarët e këngëtares “Emmy”, në hyrje të kërkesës vazhdojnë t’i qëndrojnë pretendimit se vajza e tyre është goditur nga Azis Kelmendi, me automjetin që ai drejtonte. “Në datën 27.02.2011, rreth orës 02:00, në rrugën “Sadik Petrela” në Tiranë, shtetasi Aziz Kelmendi ka goditur me makinën e tij vajzën dhe motrën tonë, Elsina Hidërsha, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në organet jetësore, si pasojë e të cilave ajo humbi jetën në datën 28 shkurt” - thuhet në padinë civile të firmosur nga familjarët e këngëtares. Më tej, ata analizojnë hetimin e prokurorisë për këtë çështje, të cilin e quajnë sipërfaqësor, duke mos ngritur kështu akuzën e duhur ndaj autorit, shtetasit kosovar Aziz Kelmendi, i cili në këtë proces gjyqësor akuzohet për vrasje nga pakujdesia. “Përcaktimi ekzakt i mënyrës se si ka vepruar autori mesnatën e 27 shkurtit, përcakton edhe formën e fajësisë së tij, si element përcaktues midis veprës penale të “vrasjes me dashje” dhe “vrasje nga pakujdesia”” - thuhet në padi, ku citohet edhe neni 58 të Kodit të Procedurës Penale. Sipas këtij neni, thuhet se personi i dëmtuar nga vepra penale ose trashëgimtarët e tij kanë të drejtë të kërkojnë procedimin e fajtorit dhe shpërblimin e dëmit. Duke argumentuar pozicionin e tyre, në lidhje me këtë çështje, padia civile specifikon se prindërit e të ndjerës gëzojnë cilësinë e trashëgimtarëve ligjorë të radhës së dytë, cilësi kjo e përcaktuar në dëshminë e trashëgimisë të lëshuar nga Gjykata e Tiranës, në datën 22 prill, pra më pak se një muaj nga vdekja e këngëtares. Sipas padisë civile, argumentohet se statusin e të dëmtuarit në procedurë penale e ka jo vetëm viktima e drejtpërdrejtë, por edhe viktima sekondare që aktivizohet kur viktima primare nuk ekziston më. Duke folur për akuzën që prokuroria ka ngritur ndaj të pandehurit Aziz Kelmendi, familjarët e këngëtares thonë se qëndrimi i organit të akuzës jo vetëm që ka lehtësuar padrejtësisht të pandehurin, por “Prokuroria ka shndërruar procedurën penale të filluar ndaj të pandehurit në një procedurë jo efikase, në të njëjtën kohë passjell edhe pasoja të karakterit moral, shpirtëror, pse jo edhe pasuror, të cilat ndikojnë që reparacioni në favor të viktimës së veprës penale (familjarëve të saj) të mos jetë i denjë”- thuhet në padinë civile, për të cilën Gjykata e Tiranës pritet të vendosë seancën e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›