Dhunë e djegie me cigare, 10 vjet burg tutorit të së fejuarës
Tiranë- Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur dje fajtor dhe ka dënuar me 10 vjet heqje lirie, Kleanth Zaimin, i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni. Procesi gjyqësor është zhvilluar në mungesë të të pandehurit, i cili tashmë do të përballet me dënimin 10-vjeçar, për akuzën e konsumuar në shtetin grek, ku ka prostituuar për disa kohë “bashkëshorten” e tij. Historia ka nisur më 1 maj të vitit 2005, kur babai i të dëmtuarës dhe një shok i tij i kanë prezantuar vajzës një djalë, për qëllime serioze. Të katër personat janë takuar në një lokal në lagjen Kombinat në kryeqytet, ku kanë pirë kafe dhe vajza është njohur me djalin që i kanë rekomanduar familjarët e saj, të pandehurin Kleanth Zaimi nga Përmeti. Sipas prokurorisë, rezulton se pas vendimit për t’u fejuar, i pandehuri e ka marrë një javë vajzën në banesën e tij në Përmet, ndërsa më pas është nisur drejt Greqisë, ku jetonte prej disa kohësh. Prokuroria tha se Kleanth Zaimi ka ardhur disa herë në Shqipëri gjatë periudhës 2005-2008, ku është takuar vazhdimisht me Klodianën, ndërsa familjarët e saj kanë kërkuar nga “dhëndri” ta marrë vajzën në Greqi, aty ku ai jetonte dhe punonte. “Në muajin nëntor të vitit 2007, ajo ka shkuar në fshatin Gjonç të rrethit Ersekë, ku ka qëndruar 1 javë. Më datë 15 nëntor, pasi e ka shoqëruar për të kaluar kufirin grek, me makinën e tij tip “Fuoristradë” me karroceri, ngjyrë gri, shtetasi Gentian Xhaferri ia ka dorëzuar Klodianën një shtetasi grek, për ta çuar te Kleanthi” - thuhet në akuzën e prokurorisë. Sipas deklarimeve të vajzës rezulton se ajo ka shkuar në qytetin Thiva të Greqisë, ku fillimisht ka jetuar e qetë për rreth 1 javë, në apartamentin e bashkëshortit të saj, Kleanthi Zaimi. Një javë më vonë, Kleanthi ka sjellë në shtëpi, dy femra rumune që quheshin Anka, 16 vjeç, dhe Rudika, që duhet të ishte rreth të 30-tave. Prokuroria thotë se fillimisht vajza ka debatuar për dy rumunet që kishin ardhur në shtëpi, por ajo kishte mësuar se “bashkëshorti” i shfrytëzonte këto vajza si prostituta. “Situata midis tyre është përkeqësuar pas rrahjeve, djegieve me cigare dhe filmave pornografikë, që shtetasi Kleanth Zaimi e detyronte të dëmtuarën të shihte”, - thuhet në dosje. Prokuroria thotë se rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 25 dhjetor, Kleanthi ka sjellë në shtëpi katër burra grekë dhe i ka thënë Klodianës se do ta vriste, nëse nuk kryente marrëdhënie seksuale me ta, gjë të cilën vajza e ka bërë. Të nesërmen, Kleanthi e ka nxjerrë në rrugë ku i ka thënë se këtu do të gjesh klientë, ndërsa lekët do t‘i marr unë dhe më pas ti do t‘i çosh klientët te një lokal, ku kishte ambiente për të kryer marrëdhënie seksuale. Ai i ka gjetur një klient grek, të cilin e ka futur në lokal dhe më pas ka shkuar ka kryer marrëdhënie seksuale me Klodianën, pa mjete mbrojtëse, dhe e ka paguar Kleanthin 100 euro për shërbimin e kryer. Edhe të nesërmen, Klodiana ka dalë në punë rreth orës 2 pasdite, ka shkuar me 4 klientë të tjerë dhe ka qëndruar në punë edhe gjatë natës. Pas kësaj dite, ai e ka mbajtur 3 ditë të tjera në shtëpi, ndërsa në fillim të vitit 2008, e ka risjellë sërish në Shqipëri. L.Bakillari