Prindërit e fëmijëve të porsalindur kërkojnë shpërblimin, pushteti vendor pa fonde

Kanë mëse një vit që fëmijët e porsalindur në 5 bashkitë dhe 22 komunat e Qarkut të Beratit nuk marrin shpërblimin që u takon me ligj, edhe pse prindërit e tyre janë paraqitur pranë zyrave të këtyre bashkive dhe komunave me dokumente të rregullta për të tërhequr shpërblimin prej 50 mijë lekë të vjetra. Kanë qenë prindër të fëmijëve, të cilët në një prononcim për gazetën kanë pohuar se zyrtarët e këtyre komunave vazhdojnë të mbajnë peng lekët, ndërsa prindërve që kanë shkuar në këto zyra nuk u janë përgjigjur për një kërkesë të tillë pa nxjerrë asnjë lloj justifikimi.
Prindërit kanë pohuar se gjithçka e kanë bërë brenda ligjit, madje në këto zyra janë paraqitur me dokumente të rregullta dhe brenda afatit 60 ditor. Për të përfituar shpërblimin e fëmijës së porsalindur, janë disa dokumente që paraqiten si certifikata e lindjes dhe e regjistrimit e marrë nga materniteti, si dhe certifikata e regjistrimit në trungun familjar si dhe kopjen e pasaportës dhe dokumente të tjera që kërkon zyra në fjalë. Burime nga materniteti pohojnë se në këto 8 muaj janë rreth 1000 fëmijë që kanë lindur dhe që janë pajisur me kartelë lindje. Por sipas prindërve që kanë ardhur sërish në drejtorinë e maternitetit dhe kanë kërkuar dokumente plotësuese për të marrë shpërblimin, edhe pse nuk është nevoja për këto dokumente, ende nuk po ua japin shpërblimin që u takon me ligj pas regjistrimit brenda afatit ligjor. Një nga nënat që nuk ka marrë shpërblim është dhe nëna e dy fëmijëve, Osjona Zeneli. Sipas saj, 8 muaj me parë ajo ka lindur dy fëmijë binjakë, por edhe pse i ka regjistruar dy fëmijët e saj, binjakë dhe ka paraqitur dokumentet që kanë kërkuar këto zyra, ende kjo nënë dhe shumë të tjera si ajo nuk kanë marrë shpërblimin që u takon me ligj. Në lidhje me këtë problem, nënkryetarja e bashkisë, Evgjeni Pelivai tha për gazetën se shpërblimi për këtë kategori fëmijësh është i ligjëruar, por sipas saj ende nga qeveria nuk është akorduar një fond i tillë. Ndërkohë që vetëm në bashkinë e Beratit deri tani nga prindërit janë dorëzuar 281 certifikata lindje dhe që janë ende pa u shpërblyer me tarifën 50 mijë lekë të vjetra, që në fakt u takon me ligj. Ndërsa fondi është ndërprerë në korrikun e vitit të kaluar nga Ministria e Shëndetësisë, madje sipas nënkryetares të bashkisë, Pelivani, Ministria e Shëndetësisë në muajin korrik të vitit të kaluar ka akorduar 400 mijë lekë dhe më pas ky dikaster nuk ka akorduar më fonde të tjera. Ndonëse kemi bërë disa herë kërkesa në dikasterin në fjalë, ende askush nuk na ka kthyer qoftë dhe një përgjigje, përfundon nënkryetarja Pelivani, e cila shton se të njëjtin fat kanë edhe fëmijët e porsalindur në të gjitha njësitë vendore në të gjithë Qarkun e Beratit.
Last Updated on Saturday, 28 March 2009 10:35
Last Updated on Saturday, 28 March 2009 10:35