E Diel, 1 Nëntor 2026

Prindërit e Alketa Canit: Se falim dhëndrin vrasës, fëmijët duan nënën

"Nuk do e fal asnjëherë vrasësin e vajzës sime... Drejtësia duhet t’i japë dënimin maksimal”. Në familjen Agalliu janë hapur dyert e mortit për vrasjen e vajzës së vetme të shtëpisë, Alketës, e cila u ekzekutua me automatik dy ditë më parë nga bashkëshorti i saj, Ilirjan Cani. 

Nëna dhe babai i 35-vjeçares, nuk e kanë aspak të lehtë që të flasin pas humbjes së vajzës së tyre, por mesa duket duan që diku të zbrazin mllefin dhe dhimbjen e madhe që u ka mbushur zemrat dhe u ka vrarë shpirtin. Dhimbja bëhet edhe më e madhe kur në mes të të gjithëve qëndrojnë dy djemtë e mitur të Alketës, 13 dhe 3 vjeç. Ata ende nuk e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur përreth dhe pse të gjithë janë veshur me të zeza dhe me sy të fryrë dhe të skuqur nga të qarët. 

“Djemtë do i rrisim ne. Nuk do e lejoj babain e tyre që t’i takojë”, - rrëfen për “Gazetën Shqiptare”, 60-vjeçarja Fluturie Agalliu, nëna e 35- vjeçares së vrarë. Babai i saj, Rustemi tregon marrëdhëniet që vajza e tij kishte me bashkëshortin dhe gjithë vuajtjet që ka kaluar Alketa në jetën e saj. 
Ku ishit ditën që ndodhi vrasja? 
Babai, Rustemi: Ishim në plazh bashkë me fëmijët e Alketës. Kishim ikur që në mëngjes.
Kush ju lajmëroi për ngjarjen? 
Babai, Rustemi: Na morën në telefon dhe na thanë që “Alketa nuk është mirë dhe duhet të vini”. Kur erdhëm këtu, e morëm vesh se çfarë kishte ndodhur. Nuk e prisnim një lajm të tillë.
Çfarë marrëdhëniesh ka pasur vajza juaj me bashkëshortin e saj?
Nëna, Fluturija: Kanë pasur gjithmonë probleme. Ziheshin gjithmonë me njëri-tjetrin, ai e ka rrahur vajzën time. Por, ajo vetëm mua më ka treguar dhe askujt tjetër, sepse ka pasur hallin e fëmijëve. Alketa punonte gjithë ditës për të siguruar lekët për rritjen e fëmijëve, sepse burri i saj nuk sillte asnjë lekë në shtëpi, se e linte gjithë rrogën duke pirë.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare)

(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›