Prishet me Vetëvendosjen
Për herë të parë, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi është përplasur me deputetët e Lëvizjen Vetëvendosje.
Veprimet e deputetëve të Lëvizjes së Albin Kurtit i ka kualifikuar si terror politik.
Ky cilësim i Krasniqit ka ardhur pasi dy deputetët e Vetëvendosjes, Visar Ymeri e Glauk Konjufca, me t`u hapur seanca e Kuvendit kanë filluar të protestojnë për shkak se nuk është vënë në rend të ditës kërkesa e tyre për seancë të jashtëzakonshme për situatën në veri.
Visari në anën e djathtë, ndërsa Glauku në të majtën kanë dalë te foltorja e Kuvendit dhe janë kthyer me fytyrë kah deputetët duke mbajtur një mbishkrim në duart e tyre me emrat e dy të vrarëve në veri, Selver Haradinaj dhe Enver Zymberi.
Pas një pauze dhe një takimi me zyrtarët e Kryesisë së Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare, Krasniqi ka kërkuar nga sigurimi i Parlamentit të largohen deputetët e Vetëvendosjes me forcë.
Kërkesa e Shefit të Kuvendit nuk është përfillur nga Policia e Kosovës, e cila është përgjegjëse për sigurinë e Parlamentit.
Dhe ka ardhur shpërthimi i Kryetarit të Parlamentit, i cili ka pasur raporte të mira me deputetët e Vetëvendosjes.
“Nuk është mirë që kjo formë e terrorizimit politik që vendos Vetëvendosje në Kuvend shkon në favor të qarqeve të që vërtet nuk ia donë të mirën këtij vendi dhe që krijojnë anarki dhe pasiguri në vend”, ka deklaruar Krasniqi, duke u ngritur në këmbë.
Kryeparlamentari ka thënë se ka nënshkruar nismën e Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme, por se nuk kanë arritur t`i mbledhin 40 firmat e deputetëve për të mbajtur seancë të tillë.
Ai ka kërkuar të respektohen të gjitha normat ligjore të precizuara në dokumentet e votuara në Kuvend.
“Konsideroj që edhe mosrespektimi i Kushtetutës nga ne nën arsyetimin e terrorizimit të qytetarëve në veri të Mitrovicës është një lloj i terrorizmit politik që po e shohim në Kuvend”, ka shtuar ai.
Kërkesa e Krasniqit për deputetët e Vetëvendosjes, për t`u larguar nga pjesa ballore e Kuvendit, nuk është respektuar dhe seanca i ka vazhduar punimet.
Por, dy deputetët e Lëvizjes kanë hequr dorë nga mbajtja e pankartës vetëm atëherë kur është vënë në rend të ditës miratimi i Ligjit për bankat dhe opozita e ka braktisur seancën.
Kur e kanë kuptuar se prezenca e tyre në sallën e Kuvendit e ka shtuar kuorumin e pozitës, Glauku dhe Visari kanë dalë nga seanca.
Në një konferencë për media, zyrtarët e Vetëvendosjes nuk kanë dashur t`i komentojnë cilësimet e Jakup Krasniqi.
I pyetur për këtë, Visar Ymeri ka konfirmuar se kanë nënshkrimin e Krasniqit për seancë të jashtëzakonshme dhe ka dhënë shpjegime për konceptin e terrorit, duke kërkuar që të mos ngatërrohen ato.
“Po që se e shohim përkufizimin më formal dhe më të thjeshtë të terrorizmit – terrorizimi është akti i përdorimit të dhunës për ndjellje të frikës dhe pasigurisë ndaj popullatës civile dhe për qëllime politike”, ka thënë Ymeri dhe ka vazhduar të tregojë për veprimet e Serbisë në veri.
Seancë me Kryeministrin
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë arritur t`i mbledhin nënshkrimet e nevojshme për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për situatën në veri, pasi LDK, AAK dhe partitë në pushtet nuk e kanë përkrahur një nismë të tillë.
Lëvizja e Albin Kurtit nuk i ka shfrytëzuar të gjitha format e parapara për seancë urgjente ose të jashtëzakonshme.
LDK dhe AAK kanë thënë se pa prezencën e kryeministrit në Kosovë s`ka arsye për debat.
Por, ky arsyetim nuk është përfillur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputeti Liburn Aliu ka thënë se pas aktit terrorist në veri duhet të ketë reagim të Kuvendit.
“Nëse pajtohen të gjithë se ajo çka ka ndodh në Mitrovicë është aksion terrorist, atëherë duhet ta kemi të qartë se si duhet të jetë sjellja e Kuvendit në lidhje me aktet terroriste. Mosmbajtja e një seance të jashtëzakonshme paraqet indiferencë ndaj terrorizimit”, ka thënë ai.
Por, ka ardhur reagimi i LDK’së dhe AAK’së.
“LDK është për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, por jo pa qenë kryeministri i vendit këtu”, ka thënë Ismet Beqiri i LDK’së.
Partia e Ramush Haradinajt ka kërkuar edhe ndërprerjen e seancës për shkak të veprimeve të Vetëvendosjes.
“Kur të kthehet Kryeministri në Kosovë, mbahet seanca. Nuk kemi nevojë me iu fol karrigeve. Po më duket se prapëseprapë është prish atmosfera dhe propozojmë me u ndërpre seanca”, ka thënë Ardian Gjini i AAK’së.
Me arsyetimin e LDK’së dhe AAK’së nuk është pajtuar deputeti i Vetëvendosjes, i cili ka kërkuar nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme.
“Ju lusim të gjithëve të jepni nënshkrimet dhe ta mbajmë seancën e jashtëzakonshme në përputhje me rrethanat. Kryeministri mund edhe të mos vjen prej SHBA’së. Ai mund të qëndrojë edhe një muaj, dy....”, ka thënë Aliu.
Gjatë ditës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur të mbledhin gjysmën e nënshkrimeve të domosdoshme për të thirr një seancë të jashtëzakonshme për veriun.
Në mesin e atyre që i kanë dhënë përkrahje nismës së Vetëvendosjes kanë qenë edhe katër deputetët të PDK’së.
Përpos Jakup Krasniqit, edhe Fatmir Limaj, Hydajet Hyseni dhe Nait Hasani kanë nënshkruar nismën e Albin Kurtit.
Edhe tre deputetë të Koalicionit për Kosovë të re – Muhamet Mustafa, Emin Gerbeshi dhe Suzan Novoberdali kanë nënshkruar për seancë të jashtëzakonshme.
E miratojnë ligjin pa opozitën
Propozimi i partisë më të madhe opozitare, LDK për të mos e futur në rend të ditës miratimin e Ligjit për bankat dhe institucionet mikrofinanciare është hedhur poshtë nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Por, ka kaluar propozimi i PDK’së për të vënë si pikë të rendit të ditës miratimin e Ligjit të debatueshëm.
Në momentin që ka përmendur pikën e katërt për votimin e Ligjit për bankat, LDK, AAK dhe Vetëvendosje kanë lëshuar sallën.
Megjithëkëtë, në seancë kanë vazhduar të qëndrojnë Glauk Konjufca dhe Visar Ymeri, me pankartë në dorë.
“Ju lutëm, asnjë fjalë nuk e dua. Kemi 62 deputetë”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi.
“64 o Kryetar”, ka bërtitur njëri nga deputetët e PDK’së, duke formalizuar prezencën e dy deputetëve të Vetëvendosjes.
“Mirë, 64 u bë, mirë shumë”, ka thënë Krasniqi dhe ka nisur votimin e amendamenteve.
Pas kësaj, deputetët e Vetëvendosjes e kanë palu pëlhurën dhe kanë dalë nga seanca.
Deputetët e Vetëvendosjes kanë mbajtur edhe një konferencë për shtyp në selinë e Lëvizjes, ku kanë thënë se Ligji është miratuar pa kuorum.
Ata kanë shpërndarë transkriptin e Kuvendit, në të cilin shkruan se prezentë kur është votuar ligji kanë qenë 54 deputetë që kanë votuar pro, katër kanë abstenuar, ndërsa një ka votuar pa kartelë.
Megjithëkëtë, me rastin e votimit, Kryetari i Kuvendit ka lexuar konfirmimin se në seancë janë 61 deputetë.
Rikthehet Limaj
Rikthimi i Nënkryetarit të PDK’së, Fatmir Limaj dhe dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim në Kuvend e ka mundësuar mbajtjen e seancës e Kuvendit, ku është votuar Ligji për bankat.
Limaj bashkë me dy deputetët e LB’së, Aurora Bakalli dhe Agim Kuletën e kanë arritur numrin prej 62 deputetë, me ç’rast është arritur kuorumi.
Ndryshe, Limaj ka munguar në seancat e Kuvendit të Kosovës prej shtatorit të vitit të kaluar.
Sipas Kushtetutës, nëse një deputet mungon pa arsye më shumë se gjashtë muaj, i humb mandati.
Por, njëri prej hartuesve të Kushtetutës ka thënë për Express se mandati i Limajt nuk ka përfunduar pasi Kuvendi ka qenë i njoftuar për mungesën e tij si dhe kanë pasur njoftim zyrtar për mosprezencën e Fatmir Limajt në seancat e Parlamentit.