E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtesa e një objekti tek ‘Misto Mame’ përplas policinë me INU e Bashkisë. Hoxha ngre padi

TIRANË- Policia e Shtetit përplaset me Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë së Tiranës. 'Mollë sherri' është bërë një ndërtesë në rrugën ‘Misto Mame’, të cilën Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik ka shkuar ta prishë.

Kreu i INU, Florenc Hoxha deklaron se ky objekt duhet prishur pasi është pa leje. Por nga ana tjetër, policia e shtetit ka marrë në mbrojtje ndërtesën e përcaktuar për prishje, duke pretenduar se po zbaton një vendim gjykate.

Sipas policisë dhe përmbaruesve privatë, ka një vendim gjykate për mosprishjen e objektit dhe ai duhet respektuar. 

Hoxha ndër të tjera bën me dije se ka ngritur një kallëzim penal për ndërtuesin dhe përmbaruesin privat. Denoncimi i Hoxhës është bërë pranë komisariatit numër 6 të policisë, për pengim të ushtrimit të detyrës dhe ushtrim dhune ndaj inspektorëve. Nga ana tjetër edhe pronarët e ndërtesës pretendojnë të jenë dhunuar nga forcat e INU, gjatë tentativës së tyre për të prishur këtë objekt.

Sipas Hoxhës, “Objekti nuk ka leje duke u nisur që nga kati i parë. Policia na pengon të kryejmë detyrën. Ndërtimi i tij po tentohet në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë, ndërtuesit shprehet se, ‘Gjykata na jep të drejtë për të vazhduar punimet’, dhe se ‘Objekti i ka të gjitha dokumentet’. 

Mësohet se në mbështetje të policisë kanë shkuar 5 makina të njësisë speciale ‘Shqiponja’. 

PËRPLASJA MES INSTITUCIONEVE SHOQËROHEN NË POLICI 6 PERSONA
Ora 14:27- Në lidhje me përplasdjen në fjalë policia bën me dije se ka shoqëruar 6 persona. Policia bën me dije se janë shoqëruar 5 inspektorë të bashkisë dhe përmbaruesi privat, që është vëllai i pronarit të ndërtesës. 

Shoqërimi i tyre sipas policisë është bërë për konfrontim. 

TIRANË, PEZULLOHEN PUNIMET NË OBJEKTIN KU PATI PËRPLASJE
Ora 14:45- Pas takimit të Zv/drejtorit të përmbaruesve privatë me përmbaruesin e godinës në fjalë është vendosur të pezullohen punimet, për të mos u shkaktuar incidente të tjera.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Prishja e një objekti tek ‘Misto Mame’ përplas policinë me INU e Bashkisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›