E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina duhet ta lexojë mirë Drashkoviçin

TIRANE- Vendimi i Gjykat ës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjëshmërine e shpalljes se pavarësisë së Kosovës ka
shkaktuar tronditje dhe çarje të madhe në klasën politike dhe në shoqërinë serbe. Po rritet grupi i atyre politikanëve dhe personaliteteve, të cilët, jo vetëm e pranojnë realitetin e ri të shtetit të Kosovës, por edhe po i bëjnë thirrje publike shoqërisë dhe qeverisë serbe ta pranojnë këtë realitet. Për këtë flet sidomos fakti se ndërgjegjësimi për realitetin e shtetit të ri të Kosovës po shtrihet edhe në ato segmente të politikës serbe, të cilat janë karakterizuar nga nacionalizmi dhe etnocentrizmi serb. Dëshminë më sinjifikative të këtij proçesi pozitiv e japin qendrimet dhe deklaratat e kryetarit të partisë “Lëvizja e Ringjalljes Serbe”, Vuk Drashkoviç, një nga politikanët më të spikatur të Serbisë, i cili ka qenë dhe ministër i jashtëm i qeverisë së Serbisë në vitet 2004-2007.
Vuk Drashkoviçi nuk mund të futet as për së largu në rrethin e politikanëve apo diplomatëve të moderuar. Përkundrazi, ai ka përfaqësuar grupet radikale të politikës së Serbisë dhe karta e nacionalizmit agresiv serb ka qenë karta kryesore e krijimtarisë së tij politike, diplomatike dhe letrare. Pra reflektimi i tij për realitetin e ri të Kosovës nuk vjen nga idetë apo prirjet liberale, apo proeuropiane. Reflektimi i tij për Kosovën vjen nga sensi realist dhe kuptimi i të vërtetës së madhe se pranimi i një realiteti të ri të shtetit të Kosovës është në të mirën e vetë Serbisë. “Serbia nuk ka asnjë sovranitet mbi Kosovën dhe ky realitet duhet pranuar”, deklaroi Drashkoviçi më 7 gusht.
Deklarata të kësaj natyre, Vuk Drashkoviç i ka bërë çdo ditë e më tepër gjatë kësaj kohe, që nga dita e vendimit të GJND më 22 korrik. I ka bërë këto deklarata, me sa duket edhe i nxitur nga qendrimi i qeverisë së presidentit Boris Tadiç, e cila jo vetëm nuk pati një reflektim realist, por po dëshmon një agresivitet më të madh, duke u zhytur më thellë në kahun e kundërt të konfrontimit me realitete e reja politike në rajon, gjë që mund t’i kushtojë shtrenjt vetë popullit serb. Drashkoviçit nuk mund t’i ketë pëlqyer që qeveria e presidentit Tadiç, e cila e dërgoi vetë çeshtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, tani del dhe nuk e pranon vendimin e gjykatës. Dhe për më tepër ka ndërmarrë një revansh të ri alogjik, politik e diplomatik, duke u përpjekur të bëjë zhurmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku ajo ka paraqitur prapë një rezolutë, që i kundërvihet vendimit të tribunalit më të lartë juridik të OKB-së. “Rezoluta në OKB nuk është gjë e mirë dhe mund të na çojë në konfrontime me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, paralajmëron ish-shefi i diplomacisë serbe.
Zëri dhe mesazhet e ish-ministrit të jashtëm Vuk Drashkoviç janë të rëndësishëm, sepse vijnë nga mjedise të qarqeve nacionaliste serbe dhe, si të tilla, japin shpresën se mund të kenë një farë jehone në udhëheqjen e sotme serbe, që jo vetëm të ndalë turravrapin diplomatik të përplasjes me gjithë botën, por edhe të marrë kthesën, që duhet. Vuk Drashkoviç deklaroi me 7 gusht se ai i ka biseduar idetë e tij me presidentin Boris Tadiç, gjë që në fund të fundit është një shenjë e një klime të ndryshuar në jetën politike serbe, kur një përfaqësues i radikalizmit dhe nacionalizmit i këshillon qendrime realiste një përfaqësuesi të forcave proeuropiane, siç mbahet presidenti Boris Tadiç.
Por zëri dhe mesazhet e reja të ish-ministrit të jashtëm serb janë me shumë interes që të lexohen mirë edhe nga diplomacia dhe qeveria e Kosovës. Jo aq, për ftesën e rëndësishme që Drashkoviç i bën Beogradit për të pranuar realitetin e ri të Kosovës, por për disa argumente interesante, që ish-shefi i diplomacisë serbe jep në deklaratat e tij. Themi interesante, sepse nuk i kemi dëgjuar në qarkullim ndërkombëtar nga diplomacia e Kosovës, por sidomos sepse janë pohime dhe qendrime, që mund të përdoren nga diplomatët e Prishtinës në fushatat dhe ofensivat e domosdoshme diplomatike për të promovuar më tej njohjen e Kosovës dhe forcimin e pozitave ndërkombëtare të saj.
Drashkoviç deklaron se Kosova nuk ka qenë pjesë e shtetit serb që prej 10 vjetësh. Pohimi i ish-ministrit të jashtëm serb është një argument i mirë për t’i dëshmuar kolegëve diplomatë, që nuk e njohin mirë historikun e çeshtjes së Kosovës, se më 17 shkurt 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, nuk ka ndodhur asnjë seçesion nga shteti i Serbisë, sepse Kosova nuk ka qenë pjesë e Serbisë. Kushdo, që ka ndjekur veprimtarinë e diplomacisë serbe gjatë tre vjetëve të fundit nëpër botë, konstaton se kudo Serbia ka pretenduar dhe pretendon ende se nga integriteti i saj tokësor është shkëputur një pjesë e shtetit të saj. Kjo gjë as ka qenë dhe as është e vërtetë, sepse Kosova është krijuar si rezultat i prishjes së federatës komuniste jugosllave dhe jo si shkëputje nga integriteti territorial i Serbisë. Vështirë ta hasësh këtë argument në deklaratat dhe fjalimet ndërkombëtare të përfaqësueve të Kosovës.
Dhe realiteti që Kosova nuk ka qenë pjesë e shtetit serb është aq imponues, sa që politikani i lartë Drashkoviç rekomandon dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë. Në preambulën e saj Kushtetuta e Serbisë pretendon se Kosova është pjesë e Serbisë, ndonëse për miratimin e kësaj Kushtetute as u përfshi, as nuk u pyet dhe as u votua në Kosovë. Ish-ministri i jashtëm serb kërkon të ndryshohet Kushtetuta e Serbisë për dy arsye themelore. Së pari, sepse pretendon diçka, që nuk ka ekzistuar dhe as ekziston, pra Kosova nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e shtetit serb. Së dyti, sepse Kushtetuta bëhet pengesë për bisedimet e ardhshme me zyrtarët e Kosovës. Pozicioni aprioristik se Kosova është pjesë e Serbisë është themeli i platformës së diplomacisë së sotme serbe për çeshtjen e Kosoevs.
Udhëheqja e sotme serbe po tenton të sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë. Sikur ata nuk kanë bërë rezolutë dhe as kërkesë në OKB për të kërkuar në Hagë mendimin juridik për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, sikur GJND nuk ka dhënë asnjë vendim për këtë gjë, dhe sikur bota është kthyer pesë vjet mbrapa, kur nuk ishin hapur bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Madje kaq e përçartur duket gjendja në diplomacinë e Serbisë, sa që ajo po rinxjerr nga sirtaret projekte, plane dhe idera, të tilla si modeli i Qipros, i Tirolit të Jugut, i ishujve Faroe, etj. modele të cilat kanë vdekur që me fillimin e bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës.
Me interes janë argumentet, që jep Vuk Drashkoviçi për realitetin e Kosovës jashtë sovranitetit dhe jashtë shtetit të Serbisë. Ai thekson se Serbia është larguar nga Kosova prej faktorit ndërkombëtar. Pra nuk është larguar nga Kosova për shkak të shpalljes së pavarësisë nga populli i Kosovës. Duke paraqitur këtë interpretim, ish-ministri i jashtëm serb pohon se ka qenë faktori ndërkombëtar që ka krijuar situatën e largimit të çdo sovraniteti të Serbisë mbi Kosovën. Në këtë sens bien të gjitha akuzat, që Beogradi i adreson Prishtinës për gjoja seçesionizëm dhe separatizëm.
Drashkoviç referohet në dy dokumente bazë, në mbeshtetje të argumentimit të tij. Së pari, përmend se Serbia është larguar nga Kosova në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës të qershorit 1999, të nënshkruar nga qeveria e Sllobodan Millosheviçit dhe nga Aleanca Atllantike. Ka pra një dokument ndërkomëtar dhe një marrëveshje të nënshkruar nga qeveria e Serbisë, që sanksionon largimin e Serbisë nga Kosova, pra që largon çdo sovranitet të Serbisë mbi Kosovën. Ky është një argument me vlerë për t’u përdorur edhe nga diplomacia e Prishtinës në kontaktet e tyre ndërkombëtare, sepse është një politikan i lartë serb, një ish-ministër i jashtëm Serbisë, i cili ka qenë gjithashtu dhe zëvëndëskryeministër në qeverinë e Millosheviçit, dhe që tani pranon se nga sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën është hequr dorë në mënyrë të vullnetshme nga vetë qeveria e Serbisë. Marrëveshja ndërkombëtare e Kumanovës ka një rëndësi shumë të madhe, sepse përmban vetë firmën e qeverisë së Beogradit për të hequr dorë nga sovraniteti mbi Kosovën. Pikërisht pse është e tillë, qeveria e presidentit Boris Tadiç ka disa vite që po lufton që të anullohet Marrëveshja e Kumanovës. Këtë rëndësi të kësaj marrëveshje është mirë të mos e harrojnë as në Prishtinë dhe as në Tiranë.
Së dyti, ish-ministri i jashtëm serb përmend se largimi i Serbisë nga Kosova është bërë në bazë të rezoluëtës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra të rezolutës 1244. Ky është një pohim dhe pranim tejet interesant, sepse është hera e parë që një politikan i lartë serb pranon se largimi i Serbisë nga Kosova është bërë mbi bazën e një rezolute të OKB-së. Ky interpretim është tejet aktual, sepse një nga kuajt kryesorë të betejave diplomatike të Serbisë dhe të Rusisë kundër Kosovës është rezoluta 1244 e KS të OKB-së. Por ish-ministri i jashtëm serb pohon se vetë kjo rezolute ka qenë bazë e largimit të sovranitetit të Serbisë. Në aspektin diplomatik, kjo është një referencë tepër e çmuar për diplomacinë e Kosovës.
“Mbreti është lakuriq dhe i çveshur, por asnjë në Serbi nuk mund të thotë se mbreti është lakuriq”, deklaroi Vuk Drashkoviçi, duke folur për realitetin e shtetit të ri të Kosovës. Ka shumë rëndësi, që një politikan i lartë serb foli për këtë realitet, dhe aq më tepër, një përfaqësues i qarqeve jo të moderuara nacionaliste serbe. Ky është një mesazh, që duhet të lexohet mirë jo vetëm në Beograd, por sidomos në Prishtinë, sepse jo çdo ditë nga pala kundërshtare të vijnë në dorë topa të tilla diplomatikë.

(G.SH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›