E Enjte, 5 Nëntor 2026

Prishtina, fituese e Ligës Unike

Prishtina është fituese e edicionit të parë të Ligës Unike, Shqipëri-Kosovë, në basketboll për femra, teksa në finale ka mundur Penzën e Pejës, 66-65. Një ndeshje e ekuilibruar dhe një finale e denjë në këtë edicion të parë të Ligës Unike në sportin e koshit për vajza. Në 10 minutëshin e parë skuadra pejane pati një dominim të lehtë, ndërsa ka kryesuar deri në gjashtë pikë diferencë, 21-15. E gjithë perioda e parë ishte për Penzën me rezultatin final 21-17.

Por Prishtina reagon, teksa ka përmbysur fillimisht në 24-23 e më pas 36-29 derisa në fund të periodës së dytë kanë fiksuar shifrat 41-33. Perioda e tretë ishte me e baraspeshuar dhe u karakterizua me mbrojtje të fortë nga të dy skuadrat duke bërë që të shënohen vetëm 22 pikë nga të dy skuadrat. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë shumë interesante, ku skuadra pejane nuk dorëzohet dhe dy minuta nga fundi ngushton rezultatin në 61-63 e më pas edhe 65-66, por pa arritur të bëjë më shumë, ndërsa Prishtina fiton edicionin e parë të Ligës Unike.

Medaljet janë ndarë nga drejtues të Ligës Unike dhe të Komunës së Prishtinës, kurse kupën skuadrës fitues e ka dorëzuar presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari. Ndërkohë Bashkimi i Prizrenit ka zënë vendin e tretë, teksa në finalen e vogël ka mundur Flamurtarin, 73-70. Perioda e parë ishte shumë e baraspeshuar, ku herë njëra e herë tjetra skuadër kalonte në epërsi, por pa arritur shkëputjen e madhe.

E kjo periodë ishte për vlonjatet 16-13. Perioda e dytë ishte më e mirë për Bashkimin e Prizrenit, që kryeson deri në 12 pikë diferencë, 38-26 për ta mbyllur gjithçka në pushim në shifrat 38-29. Prizrenaset vazhduan me lojë të mirë edhe në periodën e tretë duke e thelluar edhe më shumë epërsinë, ndërsa shkuan deri në 15 pikë diferencë, madje dy herë; 52-37 dhe 59-44.

Dhjetë minutat e fundit ishin interesante dhe dramatike njëkohësisht. Skuadra vlonjate nuk dorëzohet dhe ngushton rezultatin në 71-70. Kjo 28 sekonda para fundit, por Bashkimi triumfoi me shifrat 73-70. Kështu Bashkimi i Prizrenit në vendin e tretë e Flamurtari, edhe pse pati ndoshta skuadrën më të mirë të Ligës Unike, u mjaftua vetëm me vendin e katërt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›