E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien dërgesat e emigrantëve në Shqipëri

Autori i Lajmit: red.
Nga viti në vit po vërehet tendenca se emigrantët po sjellin më pak para për familjet në vend. Sipas ekspertëve, janë katër faktorë që ndikojnë në rënien e transfertave të emigrantëve. Sipas tyre, nuk ka më emigracion masiv, emigrantët kanë bërë legalizimet në vendet ku jetojnë, kanë bërë bashkimet e familjes duke e krijuar jetën aty ku punojnë e, si rrjedhojë, s kanë arsye të sjellin para si më parë në Shqipëri. “Duke rregulluar letrat e qëndrimit dhe të punësimit, duke u pajisur me pasaporta, një pjesë e tyre ka nisur të mendojë më shumë për stabilitetin ekonomik në vendin ku ka emigruar dhe ku tentohet integrimi”, - argumentojnë specialistët. Të ardhurat nga emigrantët arrijnë deri në 1 miliard euro në vit. Për specialistët e ekonomisë, rënia e dërgesave kërkon një program të qartë për të zëvendësuar paratë e munguara. Paratë e emigrantëve janë një burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë prej familjeve shqiptare. Mbi të gjitha ato ushqejnë rritjen ekonomike të vendit. Të ardhurat e emigrantëve kompensojnë ato para që dalin jashtë vendit për importe mallrash. Këtë tendencë të fundit e ka konstatuar dhe një studim i Bankës së Shqipërisë, i cili nxjerr si shkak kryesor dobësimin e lidhjeve me pjesën e familjeve dhe të afërmve që janë në Shqipëri. Në këtë studim kalkulohet se në tre muajt e parë të këtij viti, nga emigrantët ka hyrë një kapital rreth 210 milionë euro, por po të krahasohet me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë është 5 për qind më pak. Një fenomen i ri që është vënë në studimin më të fundit të Bankës së Shqipërisë, është dërgimi i më pak parave dhe realizimi i më shumë investimeve. Shqipëria është një vend me nivel të lartë emigrimi. Në 17-18 vitet e fundit besohet se janë larguar jashtë kufijve afër 1 milion shqiptarë, kryesisht në dy vendet fqinjë, Greqi dhe Itali, por dhe në vende të tjera evropiane, Gjermani, Zvicër, Belgjikë, Francë, apo më larg si në SHBA, Kanada, Australi, Zelanda e Re etj. Mbështetja e tyre financiare dhe materiale ka qenë një ndihmë e konsiderueshme jo vetëm për familjet, por dhe për ekonominë shqiptare.
Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›