E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vazhdoi me Roar, hatri i djalit

Besart Berisha thotë se e vazhdoi kontratën me Brisbane Roar hatri i djalit të tij, Amarit, i cili është dashuruar në detin e Australisë. Natyrisht, 27 vjeçarin e bindën edhe kushtet që ia ofroi klubi nga A-League dhe rehatia që e ka gjetur tek Roar. I lumtur që do ta ketë në dispozicion edhe për dy vite prishtinasin është edhe trajneri Ange Postecoglou.

Brisbane Roar mund ta falënderojë 20 muajshin Amar Berisha, falë të cilit i siguroi shërbimet e yllit Besart Berisha edhe për dy vjet. Kampioni i A-League e siguroi të ardhmen në fazën ofanzive, pasi të mërkurën e vazhdoi bashkëpunimin me sulmuesin kosovar, i cili prin në listën e golashënuesve në kampionatin australian të futbollit me 13 gola, nga 20 ndeshje të zhvilluara.

Dhe, njëri prej faktorëve që e zvogëloi dëshirën e Berishës që të rikthehej në Evropë ishte djali i tij i vogël, Amari, i cili është dashuruar me ujin e Australisë, që nga arritja në Evropë.

“Unë kurrë nuk e kam parë një fëmijë i cili rri në ujë dhe nuk dëshiron as të hajë e as të pijë, por as të fle gjumë”, thotë duke buzëqeshur Berisha, i banon në pjesën e Brisbane ku gjendet plazhi i famshmi Southbank.

“Ai ka mësuar të thotë: do të shkojmë të lahemi. Çdo ditë ai zgjohet në orën 6 të mëngjesit dhe kur ngritet thotë: ujë, ujë. Nuk mund ta lë atë larg detit, kështu që dëshiroj të qëndroj këtu”, ka shtuar ish futbollisti i Hamburgut.

Berisha ishte përfshirë në një zënkë me mbrojtësin e Sydney FC, Pascal Bosschaart, me ç’rast ishte suspenduar me një ndeshje. Pastaj, ai ishte fjalosur edhe me një bashkëlojtar, gjë që kishte bërë të bëhej bujë në Australi për sjelljen e ish përfaqësuesit shqiptar.

“Njerëzit bëjnë gabime. Unë nuk jam perfekt. Gjëja kryesore ishte mbështetja e klubit, sepse ata e dinin se çfarë personi jam unë. Unë po e shijoj eksperiencën në Brisbane dhe dëshiroja të qëndroja këtu”, shtoi Berisha.

Ndërsa trajneri i Brisbane, Ange Postecoglou, ndihet i lumtur që do ta ketë në dispozicion Berishën për së paku dy vjet tjerë.

“Jam mjaft i lumtur që do të punoj me Besartin për vite të tjera. Ai është golashënues i ligës dhe klubet tjera ishin të interesuar për të, mirëpo ne ia bëmë ofertën e duhur, kështu që ai është i lumtur të mbetet këtu”, tha trajneri i Roar i cili është i bindur se prishtinasi mund të përmirësohet edhe më tepër dhe se mund ta japë kontributin e tij në A-League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›