E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça luan në Pejë

Klubi i basketbollit Trepça, sipas të gjitha gjasave, ndeshjen e parë si vendës, në finalen e play-offit kundër Sigal Prishtinës, do ta zhvillojë në palestrën e sportit “Karagaç” në Pejë. Këtë e ka bërë të ditur të hënën drejtori i klubit mitrovicas, Besim Braha.

“Fillimisht mendonim të luajmë diku tjetër, por dështoi. Kështu që 90 për qind ka gjasa që ndeshjen e parë me Sigal Prishtinën të luajmë si vendës në Pejë”, tha Braha.

Drejtuesit e “Xehetarëve” e kanë arritur marrëveshjen për të luajtur në Pejë vetëm në ndeshjen e parë si vendës, ndërsa thonë se nuk kanë vendosur ende për takimin e dytë eventual në “shtëpi” kundër prishtinasve.

Sigal Prishtina udhëheq 1-0 ndaj Trepçës në serinë e ndeshjeve finale të play-offit. Ndeshja e dytë do të zhvillohet të enjten në Pejë, me Trepçën vendëse.

Palestra e sporteve “Minatori” në Mitrovicë është e dënuar me gjashtë ndeshje, pas incidentit që kishte ndodhur në finale të Kupës së Kosovës. Trepça i ka zhvilluar dy ndeshjet gjysmëfinale të play-offit kundër Bashkimit si vendëse në Bardhosh (të parën pa shikues).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›