Rindërtimi i shtëpive në Suhadoll, gjendja ende e tensionuar
Përfaqësuesit e strukturave politike dhe ata të sigurisë në komunën e Mitrovicës kanë vlerësuat sot se gjendja e sigurisë vazhdon të jetë e tensionuar për shkak të problemeve rreth rindërtimit të shtëpive në Suhadoll.
Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se me gjithë përpjekjet dhe takimet e shumta mes përfaqësuesve të shqiptarëve, atyre të UNMIK ut dhe serbëve, këta të fundit vazhdojnë të jenë të palëkundur në qëndrimet e tyre, duke bërë përpjekje të ndryshme për të penguar meremetimet dhe kthimin e shqiptarëve në pjesën e Suhadollit që është ngjitur me Kroin e Vitakut.
"Ne jemi deklaruar se nuk do të provokojmë, mirëpo nuk mund të jemi gjithnjë në rolin e zjarrfikësit dhe në emër të ruajtjes së qetësisë të kthehen mbrapsht projektet që synojnë përmirësimin e kushteve më të mira për jetë të të gjitha komuniteteve", tha Rexhepi.
Ai u bëri thirrje strukturave të sigurisë që të krijojnë një ambient të sigurt për të gjithë. Në këtë kontekst kreu i komunës theksoi edhe pengesat që janë bërë të martën dhe që janë duke u përsëritur edhe të mërkurën nga policia polake e UNMIK-ut e cila ka ndalur punët në realizimin e projektit për një pjesë të rrugës që shkon prej Suhadollit në drejtim të Kroit të Vitakut.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e policisë së UNMIK ut që ishin të pranishëm në takim, thanë se çdo ndërprerje e projekteve që po bëhet në veri ka për qëllim ruajtjen e qetësisë. Ndërsa komandanti i stacionit të policisë në jug, kapiteni Bashkim Spahiu, tha se në jug gjendja është e qetë, mirëpo shqetësimet janë prezente. /qik/