Prishtina pranon vazhdimin e dialogut me Serbinë

Prishtina është përgjigjur pozitivisht kërkesës së ndërmjetësuesit Robert Cooper, për të vazhduar dialogun me Serbinë. Ky i fundit ka qëndruar për dy ditë në Kosovë, ndërsa pas përfundimit të takimeve zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka konfirmuar se dialogu me Beogradin do të vazhdojnë.
Ajo tha se data nuk është caktuar, por palët kanë rënë dakort për vazhdim të dialogut për çështje teknike, ndërsa sipas saj çështja e parë që do të shtrohet në tavolinë do të jetë implementimi i marrëveshjeve. Tahiri tha se pala kosovare ka kërkuar që deri me 20 nëntor të nisë zbatimi i gjitha marrëveshjeve që janë arritur me Beogradin.
Kryenegociatorja gjtihashtu konfirmoi se Beogradi ka kërkuar dialog për pikat doganore, por ajo tha se BE ka refuzuar këtë kërkesë, ndërsa pala kosovare e ka përkrahur. Tahiri përsëriti se asnjëherë dhe kurrë nuk do të bisedohet me Serbinë për çështje politike apo për punë të brendshme të Kosovës.
Ajo bëri të ditur se edhe Beogradi është pajtuar që të vazhdoi dialogu teknik përkundër kërkesave që të ndryshoi rrjedha e dialogut aktual.