Gjermania bllokon Serbinë për Kosovën

Gjermania insiston që Komisioni Evropian në opinionin etij për dhënien e statusit kandidat për Serbinë të shtrojë kushte të reja, të rrepta lidhur me Kosovën, kanë thënë për gazetën "Blic" burime diplomatike nga Brukseli.
Sipas gazetës, kërkohet përmbushja e katër kërkesave: që dialogu i Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë pa kushte, që të arrihet marrëveshja për prezantimin rajonal të Kosovës, telekomin dhe energjinë, që Prishtina të marrë në duart e saj gjykatën në veri të Kosovës dhe të fillojë me pezullimin e institucioneve paralele.
Komisioni Evropian do të publikojë të mërkurën në mesditë analizën e progresit të Serbisë në reforma dhe rekomandimin e tij për dhënien e statusit të kandidatit.
E përditshmja serbe "Blic", duke iu referuar burimeve të besueshme, gjithashtu shkruan se kërkesat e kancelares gjermane Merkel i janë paraqitur presidentit Boris Tadiç gjatë vizitës në Beograd në muajin gusht.
Ndërkohë këto kërkesa mund të bëhen kushte zyrtare të Komisionit Evropian që prej ditës së nesërme, megjithëse disa anëtarë të BE-së nuk janë dakort me to.