Prishtina:Vizita e Tadiçit me "karakter fetar"

Autoritetet kosovare konfirmuan ardhjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, në Kosovë. Sipas tyre përmes zyrave ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Beograd e Prishtinë kanë marrë kërkesën e kreut të shtetit serb për ta vizituar Kosovën, por theksuan se vizita ka për qëllim kryesor kremtimin e Krishtlindjeve ortodokse serbe.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, theksoi se kërkesa për vizitë e Tadiçit dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë në Deçan ka karakter fetar.
“Ka një kërkesë të tillë dhe unë besoj se kërkesa është mbi bazën e vizitës religjioze në Manastirin e Deçanit. Besoj se këtu do të kemi qasje pozitive për një trajtim të tillë”, u shpreh Kuçi.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e mosrespektimit të “rregullave” të vizitës, Kuçi, tha: “Është një prej kërkesave tona që ai ta trajtojë këtë vizitë si religjioze, ta trajtojë si vizitë të karakterit jopolitik. Ne e dimë që ai mund të bëjë shkarje, tejkalim, por megjithatë kemi garanci ndërkombëtare për një mesazh të tillë që i është dërguar drejtpërdrejt edhe atij”.
Presidenti serb, Tadiç, pritet të qëndrojë në Deçan më 6 dhe 7 janar për të festuar Krishtlindjet ortodokse serbe.
Edhe në vitin e kaluar ai kishte realizuar një vizitë të tillë në Kosovë, e cila ishte përcjellë me një varg paqartësish lidhur me deklarimet politike, të cilat, bazuar në kërkesën për vizitë dhe miratimin e saj, nuk do të duhej të bëheshin.