E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtinë – mon amour

Kush, çka dhe si prezantoi në këtë ngjarje.

Instalacioni:Nga instalacionet që kisha rastin t’i shoh, krijova një dualizëm/tension mes vlerave private-subjektive dhe atyre me veçori sociale-historike. Shumë tema dhe objekte ose performansa njerëzore u shndërruan në një ndikim të dyfishtë, që stilizon veprimet e tyre. Ai ngërthen artistë me baza të ndryshme etnike, e me rrethana sociale të shumëllojshme, të cilët për një kohë të caktuar do imponohen me përvoja personale në ndërtimin e një teme universale - e cila mund të përshkruhet si “mon amour”.

Qasja në këtë mënyrë për mua paraqet diçka si “first exhibition”, që fillon me pozicione autobiografike e krijon raporte me ndodhi arti-historie(diçka si Boro&Ramizi). Kjo familje e madhe ishte ndoshta njëlloj forumi, ku artistët i paraqiten shikuesve, por edhe shokëve e kolegëve, me ngjarje të ndryshme sociale. Kështu, “mon amour” provokoi mekanizmin e art-prezantimit, duke krijuar një lidhje te re mes artit vizual dhe arteve tjera alternative. Instalacionet në mënyrë konstante u përkrahën lëvizje-muzikë, e disa edhe me lëvizje të caktuara të shikuesve prezentë.

Prezantimi i asaj që unë e përshkruaj si “art market”, përfshin figura të strukturave dhe madhësive të ndryshme (letërnjoftime&këpucë). Këto figura të “lana pas dore”, kohë pas dukeshin provokuese, të çuditshme e të bukura (të tilla ishin renditjet ndërmjet televizionit klasik dhe fustaneve me ngjyra nusërie, si njëlloj kontrasti). Përdorimi i shkronjave të mëdha, të zhvendosura në anën tjetër të pallatit, mund të kuptohej edhe si personalizim i shikuesve dhe si shndërrim i tyre në simbol.

Video-instalacioni: Në rrethana të “first exhibition” zakonisht paraqitet mundësia që videoja të lexohet në kontekste të shumëllojshme. Puna e tyre mund të ilustrohet në teknologji e dimensione të ndryshme edhe përbrenda një galerie të modifikuar, ashtu siç ndodhi të shtunën mbrëma në ‘Boro e Ramiz’. Introja me ndihmën e një “flashbacku” na kujtonte revoltën e studentëve të vitit 1989, në një shtëpi që edhe sot vepron gjysmake dhe e harruar nga të gjithë, pavarësisht strategjisë së proklamuar komunale.

Video-instalacioni(2) kishte formë horizontale dhe pamje të qytetit nga rakursi i zogut, e në prapavijë një muzikë të veçantë tematike. Video-instalacioni(3) ishte vertikal, dallonte për nga madhësia, dhe sugjeronte një flamur të amortizuar nga pikat e ujit që binin pandërprerë, shkaku i mungesës së kulmit në zonën e caktuar.

Ato shkaktonin dëme të vazhdueshme, duke krijuar -për mendimin tim – një video-instalacion hibrid shume të “gjallë”. Të tilla ishin edhe video-instalacionet e lidhura me rrathë-return-postcard, të cilat të projektuara në imazhe që përsëriten, dhe me një bioritëm që zhvillohet si “fast&slow”, evokojnë të kaluarën dhe përvojat e caktuara psikologjike. Fytyrat e fotografuara, ndoshta të disa pjesëmarrësve, ilustroheshin në gro-plan, duke mundësuar kështu identifikimin direkt me shikuesit. Megjithëse formalisht statike, me ndihmën e ndriçimit plotësues, këto fytyra ndoshta do të përjetoheshin si në faza tranzicioni.

Performanca: Ishte prezente në të gjitha format dhe volumet. Shikuesi kishte mundësi të shikonte pantomimë, monolog, balet individual, balet kolektiv dhe sinteza ndërmjet lëvizjeve fizike dhe instalacionit organik. Niveli i performansave fillonte me lëvizje mekanike të adoleshentëve dhe adoleshenteve në një drejtim suprem, me klithje të ndryshme revolte e pakënaqësie në një mur (pengesë), i cili duhet thyer, pavarësisht situatës/rrethanave emotive në të cilat mund të gjendemi.

Kjo performancë ishte interaktive dhe, marrë parasysh moshën e protagonistëve, ishte në gjendje të afronte pranë vetes më së shumti shikues/asistentë. Performanca(2) ishte një miks i lëvizjeve fizike-dance theater. Shpesh, atmosfera teatrore ishte e ndërtuar me metafora private brenda një pastrimi/spastrimi, si ritual dhe manipulim me foshnjën, si rilindje njerëzore, e cila normalisht mund të zhvillohet në familje ose në formë individuale. Performanca(3) vepronte si pantomimë, me veprime të imagjinuara, por pa ndonjë temë që do të kishte fillim-zhvillim-epilog. Në këto raste nuk ekziston gjithmonë komunikimi social, ndërsa interpretimi ishte një forme e caktuar ekspresioni. Performanca(4) ishte balet, me pozicione e lëvizje trupi, që të kujtonte figurat klasike.

Lëvizjet zhvillohen si lajtmotiv, ngase pozicionet e duarve/këmbëve dhe trupave në “boks” përsëriten me ndihmën e një simetrie shkollore. Performanca(5) ishte tipike, me veprime të caktuara skenike që zhvillohen në duet (mashkull&femër), ndërsa tregimi shërbehet si medium nga teatri fizik. Këtu ekziston tema në zhvillim, dhe kjo tendencë kujtonte episodet e “dance theater”, për pastërti të jashtme, ku spastrimi ishte vetëm kategori subjektive. Veprimet refleksive të mashkullit ndoshta ishin produkt i një frike dhe dileme përbrenda trupit të tij të zhveshur. Performanca(6) krijoi një raport dinamik artist-shikues, falë punës me të cilën u prezantua. Parametri i prezantimit ishte një kontrast mes “besnikut” dhe një djaloshi adoleshentë të lidhur fort dhe përgjithmonë brenda. Një veprim ky infantil shumë i shprehur sot tek njerëz moshash jomadhore.

Ekzagjerimi në lidhje, njëkohësisht, vepronte si komedi-grotesk, me kundërshtime të thella ndërmjet dëshirave dhe obligimeve shumë karakteristike për zyrtarëve politikë. Performanca(7), kishte një miks i monologut dhe instalacionit. Fotografia e krijuar kujtonte konfliktin e fundit në Kosovë, por edhe të gjitha konfliktet që nga fillimi i shekullit 20 (modeli i pushkëve), shikuar nga pikëshikimi femëror. Përdorimi i buzëkuqve shumëngjyrësh dhe vizatimi i buzëve në faculeta letre ishte një veprim që kujton seksin dhe dhunën. Revolta e femrës, dhe tendenca që ajo pavarësisht realitetit - të mbetet gjithmonë femër, u realizua përmes një metodologjie dhe alegorie shumë interesante. Performanca(8) u zhvillua në dy novele – vertikal dhe horizontal.

Në nivelin e sipërm mund të shihej diktatori komunist, me karakter autoritar, kostume e dekorata tradicionale, dhe me gojën plot propagandë të një ideologjie komuniste, ndërkaq në të dytin, të radhitur qëndronin shumë pionierë, me kapela e shamia, derisa me ovacione të vazhdueshme – të shndërruara në “automat” - i nënshtrohen liderit, sikurse sot në Korenë Veriore. Edhe performanca(9) ishte e dyfishtë, por në kuptimin eksterier/interier. Në enterier ishte loja e balerinave të improvizuara (nga karriget e shkatërruara të Pallatit të Rinisë).

Ndërsa, përjashta një kope delesh, që ushqehej nga këto vajza simpatike e elegante, krijonin një copë kundërshtimi me këtë instalacion organik. Performanca(10) rikthen fotografinë në kohen e Paul Nadar, dhe të fillimit të shekullit 20. Mjeti ku qëndron ulur modeli, ishte i vjetër, edhe pse realiteti sot ruan identitetin me dy elemente: lyerja individuale e buzëve me ngjyrë të mbylltë dhe poza e mashkullit dhe kamera digjitale, e cila e mundëson kapërcimin në kohë. Ky “film” inkuadron edhe një panoramë 90-shkallëshe. Duke shikuar në kamerë, shikuesi kishte një përshtypje individuale, të shkëputur nga koha. Tek performanca (11) protagonistët vazhdimisht lëvizin me rroshulla, ndryshojnë pozicione dhe, si balerinë/figura ndalen para publikut. Por, këto lëvizje realizohen në parkingun e automjeteve dhe përcillen me ndriçim të ftohtë. Ekzistojnë disa momente, kur secili prej nesh stimulohet dhe reagon me refleks, duke përsëritur disa momente mekanizmi.

Vizatimi:Vizatimet e prezantuara na shfaqin Boro e Ramizin, por jo një mit të shkruar diku - për shkak se sot nuk ekziston një identifikim direkt me këta dy “haverat” . Nga këto gjenerata ata mbahen në distancë dhe perspektivë. Vizatimi me ngjyrë, me “lucy’s repeticion”, ishte diçka shumë e zakonshme. “Skulpturat” u përzgjodhën kryesisht nga materiali i zakonshëm – karton/letër. Këto materiale voluminoze, të instaluara në anën tjetër të hyrjes, krijonin njëlloj interaksioni mes vizitorëve dhe hapësirës, pavarësisht pozicionit tyre të shtrembë, duke i shndërruar ato në pozicione arkitektonike dhe nënshkrim autorial. T

ë tillë ishin edhe gypat vertikalë metalikë, që me lëkundje të vazhdueshme krijonin pothuajse një ‘tingull kishtar’. Ajo që binte ne sy ishte rikthimi i vazhdueshëm në raportet e krijuara ndërmjet gjeneratave, ndërmjet poleve, dhe në raporti me vetveten – në kontekstin vizual. Bota është shndërruar në katund, andaj, ndoshta kjo ekspozitë multimediale me një numër aq të madh të vizitoreve, sikur e dëshmoi këtë. Rrjedhimisht, galeria sikur mbetet një hapësirë e së kaluarës-memorieve-nostalgjisë. Autorësia dhe kreativiteti zhvendosen përjashta, edhe në lokacionet e djegura/demoluara e të shkatërruara plotësisht. Slogani “fear like as”, ose “believe like as” ishte prezent të shtunën mbrëma.

Padyshim, për nga vëllimi, shikueshmëria dhe kualiteti, kjo ishte ekspozita më e madhe e hapur së fundmi në Kosovë. Prishtinë “mon amour”.

(autori është regjisor dhe kritik arti)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›