E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sërish refuzohet në vendlindje

Adaptimi filmik i romanit të shpërblyer të shkrimtarit indian, Salman Rushdie, “Fëmijët e Mesnatës” nuk arriti të gjejë asnjë distributorë të interesuar në Indi.

Në portretin epik të historisë moderne indiane, gjegjësisht në romanin e shkrimtarit të famshëm, Salman Rushdie, përshkruhet shoqëria indiane pas shpalljes së pavarësisë nga Mbretëria e Bashkuar, ndërkohë që “letra e dashurisë për Indinë”, siç e cilëson veprën vetë autori, gjatë javëve të fundit atë sërish ishte në qendër të ngjarjeve kontroverse.

Në premierën e filmit, e cila u mbajt fundjavën e kaluar në Festivalin e Filmit në Toronto, regjisori, Deepa Mehta, bëri të ditur se nuk arrit të gjejë asnjë distributor të interesuar indian për shfaqjen e filmit në këtë vend.

“Salman pohonte shpesh se ky roman ishte njëlloj letre e tij e dashurisë për Indinë. Mendoj se filmi e shpreh pikërisht këtë dashuri. Do të ishte mëkat që politikanët e pasigurt t’ua shkurtojnë indianëve të drejtë për të vendosur vetë se çfarë mendojnë për filmin, dhe çfarë domethënie do të kishte ai për ta”, deklaroi regjisori indiano-kanadez për revistën ‘Hindustan Times’.

Libri “Fëmijët e Mesnatës” është botuar në vitin 1981. Në të përshkruhet jeta e një djaloshi me fuqi magjike, i cili është lindur në momentin kur ishte shpallur pavarësia e Indisë, në vitin 1947. Vepra e Rushdie e cila, në fakt, paraqet një përshkrim mbresëlënës të 30 viteve të para të Indisë së pavarur, autorit të saj i solli çmimin prestigjioz letrar Booker Prize. Mirëpo, ishte portretizimi përçmues në të i kryeministres Indira Gandhi ai që autorit, në vendin e tij, i solli padi gjyqësore për shpifje.

Producentët nuk kërkuan leje nga India për të xhiruar filmin e atje, por tërë produksionin e bënë në Shrilankë, dhe pavarësisht mosinteresimit për distribuimin e tij në Indi, së shpejti pritet shfaqja e premierës së filmit në mbi 40 shtete botërore.

Ndryshe, filmi përcjellë narracionin e romanit origjinal, dhe në të janë përfshirë edhe portretizimet e pakëndshme të figurave kryesore të politikës indiane të asaj periudhe. Komentuesit shoqërorë ndërkaq konsiderojnë se mungesa e interesimit për filmin “Fëmijët e Mesnatës” paraqet një dështim të demokracisë indiane.

“Jemi shumë të kujdesshëm kur është fjala për aludime politike në filma, dhe ku secila ngjashmëri me politikanët paraqet një problem të madh. Në një demokraci të zhvilluar dhe të fuqishme këso lloje të sjelljeve do të ishin të papranueshme”, nënvizoi Shubhra Gupta, kritik i respektuar i filmit në Indi.

Romani i Rushdie “Vargjet Satanike”, i vitit 1988, edhe më tej vazhdon të jetë in ndaluar në Indi. Në janar të këtij viti, shkrimtarit 65-vjeçar iu ndalua ardhja në festivalin letrar në qytetin Jaipur, për shkak të protestave të fundamentalistëve islamikë indianë. Incidenti pastaj provokoi kërkesat mediale për lirinë e shprehjes, si dhe kritikat e ashpra në adresë të qeverisë aktuale indiane.

Pas distribuimit të filmit “Fëmijët e Mesnatës”, gjatë këtij muaji pritet të dalë edhe botimi i memoareve të Salman Rushdie. Sipas një shkrimi të gazetës britanike ‘The Sunday Times’, Rushdie, i cili në memoare për vetveten shkruan në vetën e tretë, mes tjerash përshkruan edhe atë sesi ka qëndruar nëpër shumë ‘shtëpi të sigurta’ në Europë, sepse ajatollahu iranian Khomeini kishte shpallur një fatva kundër tij, për shkak se, sipas tij, në veprën “Vargjet Satanike” Rushdie kishte ofenduar fenë islame.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›