Prishtinë-Beograd, BE optimiste për dialogun
PRISHTINE- Krejt ndryshe nga situata në terren, zyrtarë të BE-së janë shprehur me tone optimiste për dialogun Prishtinë Beograd. Nyja e Gordonit është krijuar te çështja e pranisë së Kosovës në takimet rajonale, pasi pamundësia për të arritur marrëveshje për këtë po pengon vazhdimin e dialogut.
Të martën, kryenegociatorja kosovare, Edita Tahiri, ka thënë se qëndrimet e palëve nuk janë afruar pasi Beogradi kërkon patjetër përfaqësimin e Kosovës me Rezolutën 1244, diçka që, sipas Tahirit, Prishtina e hedh poshtë kategorikisht.
Sidoqoftë, zyrtarëve evropianë nuk u duket shumë e rëndë situata pothuajse e pashpresë në të cilën ka hyrë dialogu. Kohë më parë zyra e Catherine Ashton, nën mbikëqyrjen e së cilës po mbahet dialogu Prishtinë Beograd, ka thënë se nga mesi i janarit do të vazhdojë dialogu me shpresën se deri atëherë do të arrihej pajtimi i palëve për bashkëpunimin rajonal.
Mirëpo një zyrtar i Këshillit të Ministrave të BE-së, i ka thënë Zërit nëse kjo çështje nuk është zgjidhur me vite, nuk është asgjë tragjike që përpjekjet disa javore nuk kanë sjellë ende asgjë të re.