E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende pa datë për heqjen e barrikadës e urës së Mitrovicës

Nuk ka ndonjë datë se kur do të hiqet barrikada në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi nuk saktëson, por thotë se kjo do të ndodhë shumë shpejt, pa përcaktuar se kur, raporton KTV. Një nga pikat e planit të zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë parasheh edhe heqjen e barrikadave për të mundësuar lëvizjen e lirë. “Ndërkohë do të hiqet edhe kjo barrikadë. Por, deri tashti nuk kemi një datë. Gjithsesi ekziston një vullnet nga të dyja palët për të mundësuar një lëvizje të lirë”, ka thënë Kuçi.

Kreu i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati thotë se në një mëngjes qytetarët nuk do ta shohin më këtë barrikadë. Kjo, pasi që, sipas tij, si ndërkombëtarët, ashtu edhe përgjegjësit e institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë do të organizohen bashkërisht për heqjen e pengesës së fundit në këtë qytet. Kastrati thotë se çdo ditë e më shumë po shihet se kjo qasje ka qenë e gabuar. Edhe qytetarët janë të bindur se kjo barrikadë shumë leht mund të hiqet.

Ndërsa kryeministri Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, do të takohen të hënën në Bruksel, në takimin e tretë me radhë pas marrëveshjes së arritur të 19 prillit. E, një ditë më vonë, të martën, baronesha Catherine Ashton do të vizitojë Beogradin, ndërsa një ditë më pas edhe Prishtinën, për të folur rreth zbatimit të marrëveshjes./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›