E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtinë, Serbia dorëzon listën e dosjeve kadastrale

Nën kryesimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian të mërkurën në Prishtinë është mbajtur takimi i radhës së grupit tre palësh të ekspertëve të Republikës së Kosovës dhe të Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për kthimin e dosjeve kadastrale të marra nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999, bën të ditur përmes një komunikate për media Qeveria e Kosovës.

Në njoftim, delegacioni i Serbisë thuhet se e dorëzoi listën përfundimtare të të gjithë dokumentacionit të regjistrit kadastral që është marrë nga pjesa më e madhe e komunave të Kosovës.

Tani mbetet që ekspertët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe ata të Pronës ta analizojnë këtë dokument rreth saktësisë dhe vërtetësisë e informatave që janë përfshirë në të.

Lista thuhet se përfshin dosjet kadastrale të komunave të Prishtinës, Podujevës, Prizrenit, Gjilanit, Pejës, Mitrovicës, Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut, Rahovecit, Skenderajt, Ferizajt, Shtërpcës,Vushtrrisë, Deçanit, Gjakovës, Istogut, Lipjanit, Vitisë, Kamenicës, Drenasit, Klinës, Fushë Kosovës, Novobërdës, Obiliqit, Kaçaniku, Shtimes, Suharekës, dhe të Dragashit.

“Në fund të takimit edhe njëherë u rikonfirmua gatishmëria e Institucioneve të Republikës së Kosovës, Agjencisë Kadastrale si dhe të Agjencisë Kosovare të Pronës për zbatimin e plotë të marrëveshjes për kthimin e dosjeve kadastrale të grabitura nga Serbia”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë së Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›