E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimi: Problem cilesia e ajrit neper shkolla

TIRANE- Mbipopullimi i klasave me nxënës, shkumësi i dërrasës, mungesa e luleve në shkollë, mospajisja e shkollave me oborre të shtruara, bën që nxënësit të thithin dioksid karboni në nivele të larta, i cili është edhe shkaktar për sëmundjet e tyre. Ajri i brendshëm në shkolla shkakton në masivitet sëmundje si bronkit, alergji dhe kollë tek fëmijët.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC), Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka realizuar monitorimin dhe analizimin e cilësisë së ajrit në mjediset e brendshme të disa shkollave në qytetet Tiranë, Durrës dhe Shkodër. Studimi është pjesë e një procesi rajonal të kryer njëkohësisht në të gjitha shkollat e Hungarisë, Italisë, Sllovakisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë.

Rezultatet e këtij monitorimi, i kryer për herë të parë në Shqipëri, janë paraqitur në Konferencën e pestë të Ministrave për Mjedisin dhe Shëndetin në Evropë, mbajtur në Parma të Italisë në muajin mars.

Studimi tregon se në klasat e shkollave shqiptare hapësira që i takon një nxënësi është 1.26 m2/nxënës - shumë e ulët në krahasim me vendet e tjera të përfshira në studim.
Po kështu shfrytëzimi i klasës 200%, nëpërmjet mësimit me dy turne, ndikon ndjeshëm në rritjen e ndotjes së ajrit të brendshëm në klasa.
Mungon tërësisht sistemi qendror i ngrohjes dhe sistemi i ventilimit, të nevojshme për ajrosjen e mjediseve dhe përdorimi i sobave me gaz dhe furnelave elektrike, janë faktor ndikues në shtimin e elementëve ndotës në klasa.

Ekspertët rekomandojnë ndërtimin e shkollave në vende ku të mos ketë trafik të rëndë apo afër stabilimenteve që ndotin ajrin; zvogëlimin e numrit të lartë të nxënësve në klasë; vendosjen e një regjimi të përshtatshëm ventilimi natyral gjatë gjithë orëve të mësimit në shkollë, si dhe të bëhet një instruktim i sanitareve të shkollave mbi praktikat e pastrimit të klasave dhe mjediseve të brendshme të shkollës.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›