"Berberi i Seviljes" udhëton drejt Francës
TIRANE-Shfaqja "Berberi i Seviljes", vënë në Teatrin Kombëtar në vitin 2007, do të shfaqet në Francë. Trupa e aktorëve që ka vënë në skenë këtë komedi në vitin 2007, në datën 19 prill do të shkojë në qytetin Lorient, ku do të shfaqë "Berberin e Seviljes" në teatrin e madh të qytetit, që mban emrin, "Theatre de Lorient". Kjo komedi, vënë si premierë në TK në prill 2007 me regji dhe skenografi nga Eric Vigner, ka si asistent regjisor Vasjan Lamin e në të interpretojnë Luiza Xhuvani, Roland Trebicka, Neritan Liçaj, Helidon Fino, Fadil Kujofsa dhe Marko Bitraku. Realizimi i këtij turneu në Francë promovon vlerat artistike shqiptare jashtë kufijve, duke realizuar në këtë mënyrë një shkëmbim kulturor mes teatrove evropianë. Sipas Teatrit Kombëtar, ky turne vijon eksperiencën workchop të dy regjisorëve fitues të Festivalit të të Rinjve 2009-2008, në Saint - Ettien të Francës në shkurt-mars 2010, ku Alma Hoti dhe Erion Hinaj në bashkëpunim vunë në skenë premierën e Carole Frechette "La piece au fond de l'escalier". Ky shkëmbim eksperiencash është i pari projekt në kuadër të anëtarësimit të Teatrit Kombëtar në Unionin Evropian Teatror. Projekti i dytë nën siglën e ETC është pjesëmarrja e trupës së Teatrit Kombëtar me shfaqjen "Alegreto Albania" në festivalin prestigjioz të Visbaden-Gjermani, ku janë planifikuar dy shfaqje në datat 23 dhe 24 qershor. Një tjetër projekt i TK është edhe bashkëpunimi me teatrot kombëtarë të rajonit si me Teatrin Kombëtar të Veriut të Greqisë, me teatrin e Selanikut si dhe atë të Podgoricës. Kështu, me Teatrin Kombëtar të Selanikut është rënë dakord në parim për një paketë projektesh dhe objektivash si: shkëmbimi i premierave, artistëve dhe dramaturgjisë.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)