Prishtinë,protestë kundër planit 6 pikësh
Sot në Prishtinë do të mbahet një protestë kundër planit gjashtë pikësh të OKB-së për shtrierjen e EULEX-it në Kosovë. Protesta me moton "Në Mbrojtje të Sovranitetit" e organizuar nga rrjeti i organizatave joqeveritare në Kosovë, do të fillojë në ora 12:00 dhe nisja do të bëhet nga Biblioteka kombëtare. Organizatorët akuzuan sot udhëheqësit e Kosovës se po e fshehin të vërtetën në lidhje me planin 6 pikësh kur po deklarojnë se ai nuk do të zbatohet. Njëri nga organizatorët, Albin Kurti, tha se demonstrata e nesërme ka rëndësi të veçantë për faktin se ajo mbahet në ditën kur është paralajmëruar fillimi i misionit të EULEX-it, i bazuar në Rezolutën 1244. Një protestë e ngjajshme kundër planit të Ban Ki Munit është mbajtur edhe me 19 nëntor, ku protestuesit përmes pankartave dhe brohoritjeve, "jo ndarje", "sovranitet", "referendum" etj, shprehën vullnetin e tyre kundër kushteve të Beogradit për shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Protesta e dytë vjen në kohën kur Prishtina zyrtare gjendet nën presion diplomatik për të pranuar planin 6 pikësh të kreut të OKB-së, Ban ki Moon për vendosjen e EULEX-it në Kosovë.