Priten drurët e rrallë, Pyjorja ngre supet
Edhe pse ka objektiv kryesor mbrojtjen e sipërfaqeve pyjore, duket se ky mision është kthyer në një rutinë për ndërmarrjen pyjore në Vlorë. Kur ka sipërfaqe të prera, strategjia është e mirëpërcaktuar, e shumta kurban një inspektor, pavarësisht se dëmet kanë zgjeruar tashmë dukshëm kufijtë në rrethinat e Vlorës, duke prekur madje edhe zona, ku natyra ka falur pamje të papërsëritshme.
Një udhëtim në zonën e Karaburunit sjell emocione për bukuritë e zonës, por duke vizituar më në brendësi, gjithçka tronditet. Sëpata ka nisur të presë në masë drurin e valanidhit, cilësuar ky një dru i rrallë, madje i ndaluar për prerje.
Në Ndërmarrjen Pyjore të Vlorës gjithçka përcillet me padijeninë që kanë për situatën, edhe pse pranohet se vetëm një javë më parë kanë qenë aty punonjës të pyjores për të kontrolluar gjuetinë në këto zona.
Kreu i ndërmarrjes së bashku me ata të sektorëve njihen me fenomenin vetëm nëpërmjet pamjeve filmike dhe fotove që media u vendosi në dispozicion. Justifikimi shkon shkurt, madje në masat e marra nuk harrohet të hidhet faji tek inspektori i zonës. Në ndërmarrje të flasin për një akt kontroll të ngjashëm në zonn e Tragjasit, ku kishte prerje të drurit të valanidhit.
Por rasti i Karaburunit i kalon caqet e një dëmtimi të zakonshëm. Përveç prerjeve që janë bërë në pjesë të pyllit, ka edhe të tjera masive, ku gjenden tashmë vetëm pjesët e poshtme të trungjeve. Në pjesë të brendshme të pyllit, drurët janë stivosur me kujdes dhe mbuluar me gjethe të thara. Një ditë më pas drurë të tjerë stivosen në një zonë të afërt, gati për transport.
Në ndërmarrjen pyjore thuhet se do të merren masa, madje nuk harrojnë të na qetësojnë se druri i valanidhit është një dru i shtrembër, që përdoret vetëm për zjarr, por që dëmi nuk është i pazëvendësueshëm, pasi bima lëshon lastar.
Ndërkohë, druri në fjalë kategorizohet si industrial. Druri që po pritet është pjesë e zonës së Karaburinit, për të cilën Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Park Kombëtar të ekosistemit natyror detar pranë gadishullit t Karaburunit dhe ishullit të Sazanit.