E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet luftë e gjatë në Libi

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 20:45

Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë kërkuar tërheqjen e trupave lojale ndaj Gadafit në garnizone, kanë thënë burime nga takimi i së enjtes në Berlin.

Sipas medieve gjermane, të cilat citojnë burime diplomatike, të gjitha 28 vendet anëtare të NATO-s janë pajtuar me kërkesën për tërheqje, e cila shihet si e domosdoshme për arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.

Ministrat pritet të lëshojnë një deklaratë të përbashkët lidhur me këtë çështje.

Ministrat e Jashtëm të pranishëm në takim, përfshirë edhe gjashtë vende jo anëtare të NATO-s të cilat mbështesin operacionin e kësaj organizate në Libi, po ashtu presin një konflikt të gjatë me trupat e liderit Moamer Gadafi, kanë thënë këto burime.

Ndryshe, sot në Berlin ka nisur samitin dyditor, ku temë kryesore është konflikti në Libi dhe roli që do të ketë NATO-ja në këtë konflikt.

Në takim do të diskutohet se çka duhet të bëjë NATO-ja për ta mbyllur një rrugë pa krye ndërmjet forcave të Muamer Gadafit dhe kryengritësve, që po përpiqen ta përmbysin regjimin e Gadafit.

Para dy javësh, NATO-ja e mori udhëheqjen e misionit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili mision ishte mandatuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për imponimin e zonës së ndalim-fluturimeve mbi Libi dhe për mbrojtjen e civilëve në këtë vend.

Por, disa javë të sulmeve ajrore të NATO-s, që janë kryer kryesisht nga aeroplanët e Francës dhe Britanisë, kanë dështuar që përfundimisht ta kthejnë konfliktin në favor të kryengritësve, ose t’i ndalin sulmet e forcave të Gadafit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›