E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet miratimi i buxhetit 2012, Basha: Trefishohen investimet për Tiranën

TIRANË- Kryebashkiaku Lulzim Basha relatoi në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit për projektbuxhetin 2012, i cili syonon rritjen ekonomike dhe punësimin, cilësisë së jetës dhe zhvillimin e infrastrukturës. Sipas tij, në buxhet parashikohet trefishim i investimeve publike krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite dhe shpërndarje e tyre anembanë qytetit.

Basha theksoi se ky buxhet nuk ka të përllogaritur asnjë lloj rritje takse apo tarife, por ka si synim të gjenerojë më shumë të ardhura nëpërmjet shtrirjes së bazës fiskale në mënyrë të drejtë anë e mbanë qytetit.

Në projektin për zhvillimin ekonomik dhe punësimin energjitë janë fokusuar tek projekti i rigjenerimit ekonomik të Tiranës nëpërmjet rigjenerimit të biznesit në Tiranë. Kjo është arsyeja, sipas Bashës, pse u hoqën taksat dhe tarifat e tepërta dhe siguroi se do të vijojë reduktimi i tyre.
“Brenda dy javësh në Këshillin Bashkiak ne do të bëjmë një propozim për të gjitha bizneset e reja që punësojnë më shumë se 50 persona nga lista e të papunëve të Tiranës do të eliminojmë të gjitha taksat e tarifat vendore, ndërsa të gjitha ata që punësojnë mbi 75 vetë në sektorin e ndërtimit do të ulim me 30 edhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, e cila është një nga taksat kryesore kontributore e Bashkisë", tha Basha.

Investimet në infrastrukturën arsimore zënë një vend të veçantë në buxhet, ku është parashikuar ndërtimi i 4 shkollave të reja 9-vjeçare, 2 shkollave të mesme, 3 kopshteve dhe 2 çerdheve.

Vëmendje të veçantë Bashkia i ka kushtuar mbështetjes me fonde të politikave të saj sociale. Kështu parashikohet ngritja e 6 qendrave të reja sociale, bonusi i qerasë për familjet në nevojë, janë parashikuar lehtësira fiskale për kategoritë në nevojë, pensionistët dhe veteranët. Ndërkohë, vitin e ardhshëm do të fillojë Programi i Integrimit të të Pastrehëve, do të fillojë funksionimi i banesave sociale, sikundër do të bëhen studime dhe projektime për ndërtimin e banesave të reja sociale nëpërmjet partneritetit publik-privat.

Aplikim online për lejet dhe licensat është një tjetër reformë e rëndësishme që parashikohet nga Bashkia. Ndërkohë, edhe sporti nuk ka mbetur jashtë vemendjes së buxhetit. Kështu në vitin e ardhshëm Bashkia ka rezervuar 80 milionë lekë për klubin e futbollit të Tiranës, por edhe fonde te tjera për aktivitete të tjera sportive.

MBLIDHET KËSHILLI BASHKIAK, PRITET MIRATIMI I BUXHETI 2012
Ora 18:19- Këshilli Bashkiak i Tiranës nisi mbledhjen e fundit për vitin 2011, ku sipas rendit të ditës, pritet të shqyrtohen tetë projektvendime.

Përveç projekt-buxhetit 2012, Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë projekte të reja të kryebashkiakut Lulzim Basha, që kanë të bëjnë me përpjekjet për të krijuar vende pune, për të ndërtuar një Tiranë moderne europiane, për të përmirësuar shërbimet e qytetit, përfshirë dhe zërin e qytetarëve në qeverisje.

Këshillit Bashkiak i është propozuar eliminimi i të gjithë taksave dhe tarifave vendore për të gjithë bizneset e reja që punësojnë 50 apo më shumë qytetarë të Tiranës, dhe uljen me 30% të taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjithë sipërmarrjet që punësojnë mbi 75 qytetarë të Tiranës dhe që i punësojnë ata rishtasi, siç mund të evidentohet nga lista e të papunëve në zyrën e punës në Bashkinë e Tiranës.

Sipas programit të përcaktuar, në Këshillin Bashkiak do të diskutohet për miratim buxheti 2012; disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.3 "Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës” (i ndryshuar); disa ndryshime në nivelin e pagave të punonjësve të institucioneve të varësisë; emërtimin "Ibrahim Rugova" të një prej rrugëve kryesore të qytetit të Tiranës; një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak "Për Miratimin e Komisionit të Strehimit" (i ndryshuar); dhënia e bursave për nxënësit; termat kryesorë të kontratës koncesionare mbi parkimin nëntokësor në sheshin "Italia"; disa ndryshime në vendimin e Këshillit Bashkiak "Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës" (i ndryshuar).
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›