E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet të nisin bisedimet Izrael-Palestinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsideron të mundshëm një rifillim të bisedimeve të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe palestinezëve edhe gjatë këtij muaji. Një vlerësim i tillë është dhënë nga zëdhënësja e Departmentit amerikan të shtetit, Victoria Nuland, në një konferencë për shtyp në Washington. Ajo saktësoi se takimi i zhvilluar ndërmjet presidentit të palestinezëve, Mahmud Abbas dhe të dërguarit të SHBA-së në Lindjen e Mesme, David Hale, ka qenë "produktiv".

Zëdhënësja Nuland iu referua një plani për negociata të reja direkte për paqe, të cilin e kishte propozuar katërshja për Lindjen e Mesme, në të cilin marrin pjesë OKB, BE, SHBA dhe Rusia. Sipas këtij plani, të dyja palët do të arrinin deri në fund të 2012 marrëveshjen e paqes. Në fund të tetorit është planifikuar takimi i parë me përfaqësues nga të dyja palët.

Edhe një muaj më parë, janë mbajtur takime që kanë për qëllim ripërtritjen e bisedimeve paqësore izraelito – palestineze, dhe për shmangien e krizës së re, që mund të shkaktohet me përpjekjen palestineze për të kërkuar njohje të plotë të OKB-së për shtetin palestinez.

Edhe në këto bisedime, janë përfshirë diplomatë nga Bashkimi Evropian, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin krijimin e shtetit palestinez, por thonë se kjo duhet të arrihet nëpërmjet negociatave me Izraelin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›