E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimi i ARMO-s, 10 mld lekë për Durrës-Kukës

Autori i Lajmit: red.
Menjëherë pas privatizimit të kompanisë ARMO, zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu ka deklaruar se 10 miliardë të përftuara nga ky privatizim do të kalojnë për investimin e rrugës Durrës-Kukës.
Kështu, të ardhurat nga privatizimi i kompanisë ARMO do të përdoren pjesërisht për rrugën Durrës-Kukës, ndërsa pjesa tjetër për uljen e deficitit buxhetor. Sipas Shehut, kjo ministri ka planifikuar që 10 miliardë lekë nga ky privatizim të kalojnë në buxhetin suplementar, që do të miratohet nga parlamenti në fund të qershorit.
Buxheti suplementar
“Buxheti shtesë parashikohet të ketë një vlerë prej 25 miliardë lekësh, nga të cilat 15 miliardë do të jenë nga tejkalimi i të ardhurave tatimore dhe doganore, ndërsa pjesa tjetër nga privatizimi i ARMO-s”, ka deklaruar Shehu. Sipas tij, 50 për qind e të ardhurave nga shitja e kësaj kompanisë shtetërore të naftës do të përdoren për uljen e deficitit buxhetor, ndërsa gjysma tjetër do të shkojnë për investime në rrugë. Prioritet me gati 90 për qind të shumës që do të destinohet për investime, do të ketë rruga Durrës-Kukës.
Deficiti buxhetor
Niveli i lartë i deficiti buxhetor është shndërruar në një problem shqetësues për ekonominë tonë. Ky tregues ka arritur aktualisht në 7.9 për qind, nga 3 përqind që është në vendet e Bashkimit Europian. Thellimi i deficitit është shkaktuar nga kreditë e shumta që ka marrë qeveria për investimet në infrastrukturë, përfshi këtu ato për rrugën Durrës-Kukës. Misioni i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar kërkoi uljen e këtij treguesi në nivelin e 5.2 përqind, një objekti që sipas qeverisë është i realizueshëm nëpërmjet rritjes së të ardhurave, përfshi këtu ato të privatizimit të ARMO-s dhe Operatorit të sistemit të shpërndarjes në KESH. Këtë vit, qeveria ka parashikuar një bum investimesh, veÇanërisht në infrastrukturë në vlerën e 106.6 miliardë lekëve. Ky buxhet është konsideruar si buxheti më i madh i zbatuar ndonjëherë, ai mund të kthehet në pengues për ekonominë, në rast se të ardhurat nuk tejkalojnë planin, ashtu siç parashikon qeveria. Për tre muajt e parë të këtij, viti investimet nuk u realizuan në nivelin e parashikuar, duke ndjekur traditën e viteve të mëparshme.

Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›