Privatizimi i “Albpetrol”, Qeveria shpall vendimin: Fituese kompania “Vetro Energy”, me ofertë financiare 850 milionë euro

Duke e cilësuar provatizimin e “Albpetrol”-it si proces të suksesshëm dhe transparent, kryeministri Sali Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se, fituese e tenderit është kompania amerikane e “Vetro Energy” e cila paraqiti ofertën financiare më të mirë, me 850 milionë euro. Për kreun e qeverisë, Berisha privatizimi i kompanisë shtetërore “Albpetrol”, përbën një hap të rëndësishëm drejt reformave ekonomike. “Vetro Energy” renditet i pari me 97. 79 pikë. Edhe sipas konsulentit “Patton Boggs” ka marrë 97,79 pikë, ku vlerësimi teknik është 22,79 pikë dhe financiar, 75 pikë”. Kryeministri theksoi se kontrata koncensionare prej 25 vitesh, i jep “Vetro Energy”, të drejtën e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të naftës, ç’ka siç tha ai sjell më shumë të ardhura për çdo shqiptar. “Bazuar në propozimin e komisioni të vlerësimit të ofertave për Albpetrol dhe sygjerimin e konsulentit shpall fitues kompaninë me ofertën më të mirë “Vetro energy”. Ky privatizim synon para së gjithash rritje të eficencës dhe fuqisë nxjerrëse dhe eksploruse të vendit duke koncesionuar këtë në një kompani private”- u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi lidershipin socialist, se i ka servirur shqiptarëve mendësitë e së shkuarës për koncesionet. Sipas tij, opozita po përdor një mendësi arkaike për procesin e privatizimeve. “Për ata të cilët iu servirin shqiptarëve mendësitë e së shkuarës, qëndrimet dogmatike dhe më shumë se kaq lidhur me koncesionet dhe kompanitë dua të ritheksoj shqiptarëve se në këtë koncesion dhe në çdo koncesion tjetër qeveria i jep të drejtën e shfytëzimit në mënyrë që nafta dhe gazi që mund të jetë i fjetur në nëntokën shqiptare të kthehet në vlerë për shqiptarët”- shtoi Berisha. Ai deklaroi se shteti i merr taksë qoftë një kompanie shtetërore, qoftë një kompanie private. “Të ardhurat do jenë aq të mëdha sa edhe nxjerrja e naftës apo gazit. Do jenë 5 herë më të mëdha kur të nxirren 500 mijë tonë. Gjithçka është në interesin absolut të qytetarëve”, tha ai. Kreu i qeverisw premtoi se të gjitha të ardhurat nga privatizimi i “Albpetrolit” do të shkojnë për ndërtimin e rrugëve, shkollave, ujësjellësve, kanaleve vaditëse si dhe për mbështetje ndaj fermerëve. “Pra nuk shkon asnjë qindarkë për shpenzime të administratës. E tëra do të përdoret për qytetarët në të katër anër e vendit. Qeveria ka ndërtuar mbi 10 mijë km rrugë por janë jo të pakët ata të cilët duhet të përplasen pas gropave. Ne do të bëjmë që të gjithë shqiptarët të ecin njëlloj si qytetarët europianë në rrugët më të mira”- theksoi kreu i qeverisë. Kryeministri njoftoi gjithashtu edhe heqjen e TVSH-së për importin e automjeteve si një premtim që i është bërë biznesit. “Ky është një vendim nga më të rëndësishëm të kësaj qeverie për të ndihmuar biznesin dhe për të krijuar një klimë më të mirë për të”- tha Berisha.
...