E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i KESH-it, 24-49 % e aksioneve ish-pronarëve dhe punonjësve

Formula e privatizimit të KESH-it do të bëjë pronarë të korporatës edhe ish-pronarët e trojeve në të cilat janë ngritur asetet e Divizionit të Shpërndarjes që do të privatizohet. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, paraqiti dje në komisionin parlamentar të Ligjeve formulën e privatizimit të korporatës elektroenergjitike. Sipas saj, qeveria parashikon që të vërë në dispozicion të kompanisë që do të privatizojë KESH-in një kufi aksionesh, i cili varion që nga 51 deri në 76 për qind të aksioneve të korporatës. Pjesa tjetër e aksioneve do të shkojë për kompensimin e ish-pronarëve, në trojet e të cilëve janë ngritur objektet e KESH-it, si dhe punonjësit e korporatës, të cilët kanë mbi 5 vjet punë në këtë sektor. Në këtë mënyrë, sipas kësaj formule privatizimi, kompanive të interesuara për privatizimin e korporatës, të cilat do të marrin pjesë në tenderin e privatizimit, do t’iu ofrohet vetëm 51-76 për qind e aksioneve. Këto aksione do të vihen në dispozicion për këta investitorë strategjikë, të cilët janë shoqëri apo bashkim shoqërish, që zotërojnë garanci të nevojshme financiare dhe janë të specializuar në sektorin e energjisë, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet në aksione sipas vlerës së pronave për ish-pronarët si dhe punonjësit. Ministri Ruli u shpreh se ky projektligj është në përputhje me ligjin “Për privatizimin e sektorëve strategjikë”, të vitit 1998. “Duke qenë se privatizimi i KESH-it është më i vështiri deri sot, për përgatitjen e Operatorit të Shpërndarjes është punuar me konsulentë mjaft të specializuar”, - tha Ruli. Përgatitja e privatizimit të OSSH-së është mbështetur në konsulencën e Korporatës Ndërkombëtare Financiare IFC, degë e Bankës Botërore, ndërsa me kuadrin ligjor në tërësi që lidhet me funksionimin e një tregu privat, sikurse do të jetë dhe shpërndarja e energjisë, ka dhënë konsulencën e vet edhe USAID-i.
Aktualisht, procesi i privatizimit të kompanisë shtetërore më të madhe në vend ka hyrë në një fazë të rëndësishme. Aktualisht, është duke filluar procesi i vlerësimit të korporatës, i cili do të konkludojë edhe në përcaktimin e vlerës së shitjes së divizionit të shpërndarjes së KESH-it. I gjithë procesi i privatizimit është parashikuar të mbarojë brenda vitit të ardhshëm, gjë që është bërë e ditur që më parë nga Ministria e Ekonomisë. Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, ka pasur një interesim mjaft të madh prej një sërë kompanish të huaja për të marrë nën pronësi sektorin e shpërndarjes së energjisë. Sipas ministrisë, kjo tregon që shanset janë mjaft të mira që sektori i shpërndarjes shumë shpejt të kalojë në manaxhim privat, gjë që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e performancës së kësaj kompanie. Qeveria është duke punuar që privatizimi i KESH-it të fillojë sa më shpejt, për të bërë të mundur vënien në efiçencë të kësaj korporate. Ky privatizim është në listën e projekteve më të rëndësishëm në sektorin energjitik.

Ruli: Privatizimi i KESH-it nuk do të sjellë rritjen e çmimit të energjisë

Genc Ruli u shpreh dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve se qeveria ka përcaktuar që privatizimi i KESH-it nuk do të sjellë rritjen pa kriter të çmimit të energjisë. Sipas Rulit, paketa e privatizimit ka parashikuar që, megjithëse sektori i shpërndarjes do të privatizohet, përsëri çmimi i energjisë do të vazhdojë të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë ERE. Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Ruli theksoi se, privatizimi i OSSH-së nuk do të sjellë në vetvete rritje të çmimeve të energjisë. Ruli u shpreh se, përveç punës për ligjin e privatizimit qeveria është duke punuar njëkohësisht edhe për dy projektligje të tjera sikurse është ai për “Modelin e ri të tregut të energjisë”, si dhe rishikimin e ligjit “Për energjinë elektrike”. Të dy këto projektligjet lidhen me objektiva të tillë, sikurse janë politikat e tarifave të energjisë elektrike me futjen e një opreratori privat në shpërndarje, me zgjidhjen e problemit të huave që ka KESH-i, etj. Në këtë mënyrë, çmimi i energjisë nuk do të mund të jetë në dorën e kompanisë private dhe do të jetë shteti shqiptar ai që, me anë të autoritetit kontrollues të sektorit të energjisë në vend ERE, i cili do të vendosë përfundimisht për çdo rritje çmimi. Megjithatë, sipas ministrit, në synimet e qeverisë është futja e energjisë në treg dhe në këtë mënyrë, çmimi i energjisë do të orientohet drejt rregullave të tregut, i cili do të jetë përcaktuesi kryesor i tij. Futja e energjisë në treg dhe krijimi i tregut të energjisë në vend është një prej objektivave të qeverisë në lidhje me përmirësimin energjitik në vend dhe kjo pritet të realizohet duke rritur mundësinë e prodhimit si dhe të transmetimit të energjisë, si edhe duke përfunduar procesin e privatizimit të KESH-it, si dhe të një sërë objekteve prodhuese në vend. Komisioni i Ligjeve miratoi me shumicë votash në parim projektligjin “Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes”. Javën që vjen do të nisë në këtë komision miratimi nen për nen i këtij projektligji me rëndësi ekonomike për vendin.

KESH privatizohet me 140 milionë euro borxhe

Përveç aseteve si dhe vlerës reale të korporatës, e cila nuk është bërë ende e ditur, kompania e cila do të blejë sektorin e shpërndarjes do të duhet të blejë edhe borxhet e tij. Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, aktualisht ky sektor ka borxh rreth 140 milionë euro, të cilat janë marrë hua në formën e kredive afatgjata. Ky sektor përmban pjesën kryesore të kredive të korporatës, për sa kohë që edhe investimet kryesore të saj kanë qenë në këtë sektor. Në këtë mënyrë, korporata ka marrë aktualisht rreth 240 milionë euro kredi, prej të cilave 140 i përkasin vetëm sektorit të shpërndarjes. Por, gjithashtu, faturës ekonomike të privatizimit do t’i bashkangjitet edhe një shumë prej rreth 370 milionë eurosh, e cila përmbledh borxhet që qytetarët i kanë KESH-it, si pasojë e energjisë së papaguar deri më tani. Në këtë mënyrë, qeveria synon që me anë të procesit të privatizimeve të zgjidhë përfundimisht problemin e mospagimit të energjisë, duke rritur efiçencën e sektorit të shpërndarjes së korporatës elektroenergjitike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›